Djegiet nga dielli: 5 mënyrat më të shpejta dhe natyrale për t’i qetësuar
Me ardhjen e verës, në plazh apo në mal, tundimi për të lënë veten të përkëdhelet nga rrezet e diellit është i parezistueshëm. Nga ana tjetër, ekspozimi në diell nxit prodhimin e vitaminës D, përmirëson humorin dhe ndihmon në rregullimin e ritmit të gjumit. Por ekspozimi i tepruar pa mbrojtje të duhur mund të sjellë pasoja të pakëndshme dhe më e zakonshmja prej tyre është djegia nga dielli.
Fatmirësisht, ekzistojnë strategji të thjeshta dhe efektive për të zbutur shpejt bezdinë që shkakton lëkura e skuqur, që tërhiqet apo që digjet. Ja disa këshilla nga ekspertët:
1. Hidratim i menjëhershëm
Lëkura e djegur ka nevojë të menjëhershme për lagështi. Pas ekspozimit në diell, është thelbësore të aplikohet një krem i lehtë hidratues ose një xhel me bazë aloe vera, në mënyrë ideale pa aromë ose alkool. Këto produkte ndihmojnë në qetësimin e djegies dhe nxisin rigjenerimin e lëkurës. Po ashtu, është shumë e rëndësishme të pihet sa më shumë ujë për të rikthyer ekuilibrin e duhur të lëngjeve në trup.
2. Dushi i ftohtë: shpëtim i shpejtë
Një dush i ftohtë është ndër mënyrat më të menjëhershme për të reduktuar inflamacionin dhe skuqjen e lëkurës. Duhet shmangur uji me presion të lartë dhe përdorimi i detergjentëve agresivë. Më mirë të përdoret një sapun i butë, ose fare pa sapun, sepse ata deodorantë apo antibakterialë mund ta thajnë dhe irritojnë më shumë lëkurën. Pas dushit, lëkura duhet tharë me kujdes me një peshqir të butë dhe menjëherë të hidratohet për të mbajtur lagështinë.
3. Akull, por me kujdes
Për të ulur ndjesinë e nxehtësisë dhe ënjtjen e lokalizuar, mund të përdorni akull, por jo drejtpërdrejt mbi lëkurë. Më mirë ta mbështillni me një beze ose të përdorni një peshqir të lagur që është mbajtur për disa minuta në frigorifer. Po ashtu, mund të aplikoni disa herë në ditë kompresa të ftohta dhe të lagështa për të pasur lehtësim të përkohshëm.
4. Në raste më të rënda: ibuprofen
Kur bezdisja është e fortë, një antiinflamator jo steroid si ibuprofeni mund të ndihmojë për të zbutur dhimbjen dhe inflamacionin. Ky ilaç, që shitet pa recetë, mund ta bëjë më të përballueshme situatën, për aq kohë sa merret me kujdes dhe sipas udhëzimeve të fletudhëzuesit, veçanërisht nëse merrni edhe ilaçe të tjera.
5. Kur është më shumë se një djegie
Nëse djegia shoqërohet me simptoma të përgjithshme si temperaturë, të përziera apo dhimbje koke, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore: mund të bëhet fjalë për një goditje nga dielli, e cila kërkon trajtim të menjëhershëm.
Dhe nëse, pavarësisht mbrojtjes nga dielli, djegiet përsëriten, ndoshta duhet të kontrolloni barnat dhe produktet që përdorni: disa ilaçe, si antibiotikët e familjes së tetraciklinave dhe sulfamidëve, disa antimykotikë, diuretikë tiazidikë, statina dhe disa psikotrope (p.sh. antipsikotikët fenotiazinikë), mund ta rrisin ndjeshmërinë e lëkurës ndaj diellit.