Zv/Ambasadori amerikan në Tiranë ‘plas’ bombën: Korrupsioni qeveritar, po mbyt Shqipërinë

Zëvendës ambasadori amerikan në Tiranë, David Muniz, ka lëshuar deklarata të ashpra dhe alarmues, për korrupsionin që ka kapluar qeverinë shqiptare dhe pengesën e madhe, që ai shkakton për zhvillimin ekonomik të vendit dhe investimet e reja të huaj.

Këto deklarata të forta, Muniz i ka dhënë gjatë një interviste për “Gazetën Shqiptare”.

“Çështja e korrupsionit është shumë e përhapur këtu. Nuk shikojmë aq shumë investime sa do të donim. Ne duam të shohim më tepër investime dhe do të donim ta shikonim marrëdhënien ekonomike si vitale, sepse është një shenjë e mirë për të dyja vendet, kur ne ndajmë një marrëdhënie të fortë ekonomike.

Të krijohet përshtypja se Shqipëria është një vend, që ndoshta nuk do të bëjë biznes sidomos me kompani të mëdha, të cilat kanë edhe opsione të tjera”, ka thënë Muniz në lidhje më korrupsionin në Shqipëri dhe efektin e tij për stopimin e zhvillimit ekonomik..

Zëvendës ambasadori amerikan e ka specifikuar këtë gangrenë, edhe për investitorët e munguar të shtetit që përfaqëson, SHBA.

“Ekzistojnë disa sfida për investitorët amerikanë në Shqipëri. Është çështja e korrupsionit për të cilën është folur shumë sa u takon investimeve të huaja. Do të përmend edhe tenderat publikë.

Ne gjithmonë nxisim qeverinë të jetë transparente, e hapur dhe e efektshme në mënyrën se si i drejton tenderat publikë. Lufta kundër korrupsionit është e rëndësishme për të ndryshuar këtë imazh.

Të bësh sistemin e drejtësisë të funksionojë në një mënyrë më efikase, të efektshme dhe të drejtë do të jetë kritike për të parë zhvillim ekonomik në Shqipëri”, ka deklaruar Muniz.