Matterazzi përballet me sëmundjen e rëndë, nis fushata e ndihmës nga bota e futbollit
Matteo Materazzi, agjent i njohur i futbollit dhe vëllai i ish-kampionit të botës me Italinë, Marco Materazzi, po lufton me një betejë të rëndë kundër sklerozës laterale amiotrofike (SLA). Lajmin tronditës e ka bërë publik bashkëshortja e tij, Maura, e cila ka hapur një fushatë sensibilizuese në platformën “GoFundMe” për të mbledhur fonde që do të ndihmojnë në krijimin e një terapie të personalizuar për këtë formë të rrallë të sëmundjes.
“Jam Maura, bashkëshortja e Matteo-s, një baba i mrekullueshëm i dy djemve 16 dhe 19 vjeç. Në shtator të vitit 2024, Matteo u diagnostikua me një mutacion të rrallë të SLA-së,” shkruan ajo në apelin e saj prekës. Sëmundja ka përparuar me shpejtësi alarmante: ai ka humbur aftësinë për të lëvizur këmbët, më pas edhe krahët, dhe tashmë po përballet me komplikacione në frymëmarrje.
Objektivi i vetëm i familjes është të krijojnë një terapi të personalizuar ASO, e cila mund të ndihmojë jo vetëm Matteo-n, por edhe të tjerë që vuajnë nga i njëjti mutacion. Universiteti i Columbias në New York dhe mjeku pionier dr. Shneider janë të përfshirë në këtë përpjekje, por kostoja është marramendëse: 1.5 milionë dollarë.
Apeli ka prekur zemrat e shumë figurave të futbollit italian dhe ndërkombëtar. Deri tani janë mbledhur dhjetëra mijëra euro, por rruga është ende e gjatë. “Çdo ndihmë ka rëndësi. Gurë mbi gurë bëhet kala,” përfundon Maura me shpresën se kjo luftë për jetë do të ketë përkrahjen që meriton.
Matteo është nipi i legjendës Tommaso Maestrelli dhe vëlla i kampionit Marco Materazzi, një familje e rrënjosur thellë në historinë e futbollit italian. Tani, ajo histori ka nevojë për solidaritet.