Gjykata Europiane e Drejtësisë vendos sot për ligjshmërinë e marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët

Gjykata Europiane e Drejtësisë në Luksemburg do të japë sot vendimin në shkallë të parë lidhur me vlefshmërinë e marrëveshjes ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë për krijimin e qendrave të pritjes për emigrantët në territorin shqiptar.

Çështja ka lindur pas disa padive të paraqitura nga Gjykata e Romës, e cila nuk ka njohur deri më tani ligjshmërinë e ndalimeve të emigrantëve të shpëtuar në Mesdhe dhe të transferuar në Shqipëri. Këta emigrantë kanë ardhur kryesisht nga vende që Italia i konsideron të sigurta, si Egjipti dhe Bangladeshi.

Fokusi i vendimit do të jetë mbi përkufizimin dhe zbatimin e konceptit të "shtetit të tretë të sigurt", i cili përdoret në procedurat e përshpejtuara për shqyrtimin e kërkesave për azil. Në trupën gjykuese që do të marrë vendimin bën pjesë edhe gjyqtari italian Massimo Condinanzi.

Më 10 prill, avokati i përgjithshëm i BE-së, Richard De La Tour, paraqiti përfundimet e tij jo të detyrueshme, duke deklaruar se ligji evropian u lejon vendeve anëtare të përcaktojnë si të sigurta disa vende origjine përmes një akti ligjor, me mundësinë e parashikimit të përjashtimeve për persona të veçantë që mund të jenë në rrezik persekutimi apo shkeljesh serioze të të drejtave të njeriut.

Sipas avokatit të përgjithshëm, një vendim i tillë duhet të jetë gjithsesi i hapur ndaj kontrollit të ligjshmërisë nga gjykatat kombëtare, të cilat duhet të kenë akses në burimet mbi të cilat mbështetet vlerësimi i sigurisë.

Vendimi i Gjykatës së Drejtësisë pritet të japë një drejtim të rëndësishëm për zbatimin e protokollit Itali-Shqipëri dhe për politikat migratore në nivel evropian.

Sipas raportit me titull “Plagë Kufitare”- Protokolli Itali-Shqipëri, të prezantuar pak ditë më parë në Dhomën e Deputetëve në Parlamentit italian u evidentua  dështimi i marrëveshjes migratore Shqipëri – Itali.

Nga 1400 vendet e premtuara në dy qendrat në Shengjin dhe Gjadër, më pak se 800 janë aktualisht operative. Numri i personave të transferuar nga Italia në Shqipëri është vetëm 132, prej të cilëve 32 janë rikthyer sërish. Kostoja e parashikuar e këtij projekti kap shifrën mbi 800 milionë euro për një periudhë pesëvjeçare, ose rreth 170 milionë euro në vit, pa asnjë efekt të dukshëm mbi kontrollin dhe reduktimin e flukseve migratore drejt Italisë.

 Raporti evidenton se izolimi dhe mbajtja në qendrat e Gjadrit nuk janë vetëm një kusht material, por një gjendje sistemike e margjinalizimit që e bën emigrantin të padukshëm, të heshtur dhe pasiv. Ky lloj qëndrimi është më ekstrem se ai në kampet italiane, për shkak të mungesës së transparencës institucionale, mungesës së mundësisë për të ndjekur apo kontrolluar ligjërisht procedurat, dhe mungesës së aksesit të shoqërisë civile dhe mediave.

Dy qendrat pritëse të ndërtuara në Shqipëri për të pranuar emigrantët që mbërrinin në Itali - Njëra në portin e Shëngjinit dhe tjetra në Gjadër u hapën më 11 tetor 2024.