Egnatia thyen 'murin' evropian, historia shkruhet në Rrogozhinë

I duhej pesë herë për ta bërë një herë, por ajo herë ishte më e bukura, më e rëndësishmja, më historikja. Egnatia më në fund e ka thyer mallkimin europian. Pas katër tentativave të dështuara, skuadra rrogozhinase ka lënë pas vetes hijet e së shkuarës dhe ka shkruar me gërma të arta emrin e saj në historinë e futbollit shqiptar: për herë të parë, një kualifikim në Kupat e Europës.

Nën drejtimin e Edlir Tetovës, kampionët e Shqipërisë i treguan Europës se Egnatia nuk është më një emër i ri për t’u nënvlerësuar. Ata nuk u mjaftuan me titullin kombëtar, por e çuan misionin më tej, përtej kufijve.

Në Hungari, në ndeshjen e parë, skuadra rrogozhinase vendosi themelin e kualifikimit me një fitore bindëse 0-2. Në Rrogozhinë, përpara tifozëve të tyre, u desh vetëm një gol, një finalizim i saktë nga Selmani,  për ta vulosur kualifikimin me një rezultat të përgjithshëm 3-0. Pastër dhe qartë.

Egnatia ka kaluar portën europiane dhe tashmë udhëtimi vazhdon në raundin e tretë të Ligës së Konferencës. Çfarëdo që ndodh më tej, një gjë është e sigurt: historia nuk harrohet. Dhe Egnatia e shkroi me dinjitetin e një kampioni.