Ferr në qelitë në El Salvador/ Dëshmitë tronditëse të venezuelianëve të deportuar nga SHBA

Një i burgosur u rrah derisa humbi ndjenjat. Të tjerë dolën nga qelia e errët e izolimit të mbuluar me mavijosje, duke u lëkundur ose duke vjellë gjak.
Një tjetër u kthye në qelinë e tij duke qarë, duke u thënë të burgosurve të tjerë se sapo ishte abuzuar seksualisht.
"Le ta rrahim si një piñata", kujtojnë të burgosurit se bërtisnin rojet, ndërsa tingujt e goditjeve jehonin në sipërfaqet metalike të qelive.
Ata e quanin atë "La Isla" – Ishulli – dhe ishte qelia ku, sipas venezuelianëve të deportuar nga Shtetet e Bashkuara me urdhër të administratës Trump, përjetuan abuzimin më brutal gjatë 125 ditëve të tyre të ndaluar në Qendrën për Paraburgimin e Terroristëve (CECOT) në El Salvador.

Dëshmi që thyejnë heshtjen

Rrëfimet e verifikuara nga The Washington Post për 16 burra – nga më shumë se 250 të deportuar në CECOT dhe të kthyer në Venezuelë këtë muaj në një shkëmbim të burgosurish – ofrojnë pamjen më të plotë deri tani të kushteve në burgun e madh, ku të burgosurve u mohohet qasja te avokatët dhe kanë thuajse asnjë kontakt me botën e jashtme. Rreth 14,000 salvadorianë vazhdojnë të mbahen atje. Pak janë liruar. Edhe më pak kanë guxuar të flasin publikisht.

Venezuelianët e ndaluar si pjesë e një deportimi masiv të urdhëruar nga Presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Donald Trump, përshkruajnë rrahje të përsëritura që i lanë të mbuluar me gjak dhe mavijosje. Ata thanë se zyrtarët e burgut kufizuan qëllimisht kujdesin mjekësor për të burgosurit me diabet, tension të lartë ose dështim të veshkave.

Një qeli për 80 vetë, pa dyshekë dhe pa diell

Çdo qeli grupi në CECOT strehonte rreth 80 të burgosur. Venezuelianët mbaheshin në qeli të ndara, me deri në 20 persona njëherësh. Dritat qëndronin ndezur 24 orë në ditë. Burrat flinin në shtretër metalikë, pa jastëkë ose çarçafë. Laheshin dhe kryenin nevojat personale në tualete pa privatësi dhe rrallë lejoheshin të dilnin jashtë.

Qelia famëkeqe e izolimit "La Isla" kishte vetëm një vrimë në tavan për dritë dhe ajër. Një pllakë betoni shërbente si vend për të qëndruar apo për të fjetur.

“Do të largohesh vetëm me një çantë të zezë”

Zyrtarët e qeverisë së El Salvadorit refuzuan të komentojnë. Zëdhënësi i presidentit Bukele në SHBA, Damian Merlo, i cilësoi të ndaluarit si kriminelë dhe akuzat e tyre si “të pabaza”. Departamenti i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së pretendoi se ata ishin anëtarë të bandës Tren de Aragua, ndonëse dokumentet gjyqësore amerikane pranojnë se shumë prej tyre nuk kishin precedentë penalë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Abigail Jackson, falënderoi qeverinë e Bukeles për "largimin e kriminelëve më të këqij", duke e kaluar përgjegjësinë për komentet tek autoritetet salvadoriane.

Megjithatë, akuzat për torturë, ndalim arbitrar, zhdukje dhe dhunë seksuale, nëse provohen si sistematike dhe me dijeni të autoriteteve, mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit, tha avokatja Isabel Roby nga organizata për të Drejtat e Njeriut Robert F. Kennedy. Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Ndërkombëtar të Juristëve, Santiago Canton, tha se ka indikacione të forta për një hetim nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.

“Makthi Amerikan”

Shumë nga të ndaluarit kishin hyrë ligjërisht në SHBA, me dokumente, kërkesa për azil ose me status të mbrojtur. Marco Jesús Basulto Salinas punonte ligjërisht për të paguar trajtimet e nënës me kancer. Andri Hernandez, një grimer, u pranua përmes CBP One pasi deklaroi frikë për persekutim si homoseksual. Roger Molina, shpërndarës ushqimi dhe futbollist, ishte liruar nga akuza dhe regjistruar në një program të Departamentit të Shtetit për zhvendosjen e refugjatëve.

Më 15 mars, të prangosur e të lidhur, ata u hipën në tre avionë të marrë me qira, pa u thënë destinacioni. “Kemi një surprizë për ju,” kujton Basulto se i tha një oficer amerikan. Kur zbritën dhe panë flamurin e El Salvadorit, shpërtheu paniku. Një grua u rrah. Britmat mbushën kabinën. Të burgosurit u tërhoqën zvarrë dhe u rrahën. Disa gjakosën nga fytyra.

Rojet me kapuç bërtitën: “Mirë se vini në El Salvador! Mirë se vini në ferr!”