Tërmeti 8.8 ballë ngre alarmin në Paqësor: Kili dhe Zelanda e Re në gatishmëri për cunami

Rreziku nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 8.8 që goditi të mërkurën pranë brigjeve të Rusisë po zvogëlohet në shumicën e vendeve, por autoritetet në Kili dhe Zelandën e Re mbeten në gatishmëri të lartë për cunami. Paralajmërimet për cunami vijojnë të jenë aktive edhe të enjten, me autoritetet në të dy vendet që kanë këshilluar publikun të qëndrojë larg vijës bregdetare dhe zonave të rrezikuara nga valët e fuqishme.

Në Zelandën e Re, ku janë regjistruar valë 30 deri në 40 cm më të larta se normalisht, autoritetet kanë rinovuar paralajmërimet duke theksuar se rrymat e forta mund të zgjasin për 24 orë. Sistemi kombëtar i paralajmërimit përballoi kritika pas një defekti që çoi në dërgimin e alarmit në mënyrë të përsëritur gjatë natës, por Ministri i Menaxhimit të Emergjencave, Mark Mitchell, tha se çështja do të hetohet.

Në Amerikën e Jugut, ndërsa Kolumbia, Ekuadori dhe Peruja kanë hequr paralajmërimet për cunami, Kili vijon të mbajë në fuqi alarmin përgjatë pjesës më të madhe të vijës së tij të gjatë bregdetare. Sipas Ministrit të Brendshëm të Kilit, Álvaro Elizalde, urdhrat për evakuim mbeten në fuqi në disa zona, ndërkohë që valë të larta deri në 2.5 metra janë regjistruar në disa pika të vendit.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara njoftuan se kërcënimi është “kaluar plotësisht”, sipas Sekretares së Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, e cila ndodhet në Kili për takime zyrtare. Në Alaska, valët e cunamit nuk shkaktuan dëme të konsiderueshme, me lartësinë më të madhe të regjistruar prej 2.7 metrash në qytetin Adak.

Tërmeti i së mërkurës është një nga më të fuqishmit e shekullit dhe ndodhi përgjatë “Unazës së Zjarrit” të Paqësorit, zona më aktive sizmike në botë. Ekspertët vërejnë se ndonëse efekti i këtij tërmeti nuk rezultoi katastrofik, rreziku i përsëritjes mbetet gjithmonë i pranishëm në këtë rajon.