Rrufeja më e gjatë në histori, zyrtarizohet nga Organizata Botërore Meteorologjike

Organizata Botërore Meteorologjike (OBM) ka zyrtarizuar rekordin për rrufenë më të gjatë të regjistruar ndonjëherë: një ‘përbindësh’ prej 829 kilometrash, i cili u shfaq më 22 tetor 2017 gjatë një stuhie të fortë mbi rajonin e Great Plains në Shtetet e Bashkuara.

Ky rrufe gjigante shtrihej nga lindja e Teksasit deri në periferi të Kansas City, duke mbuluar një distancë të krahasueshme me atë nga Parisi në Venecia, sipas OBM-së.

Një komision me 11 ekspertë nga SHBA, Brazili, Gjermania, Spanja, Nepali dhe Izraeli verifikoi rekordin e ri. Rekordi i mëparshëm, një rrufe 768 kilometra e gjatë, ishte regjistruar po në SHBA më 29 prill 2020 dhe u certifikua në vitin 2022. Matjet kanë një marzh gabimi prej ±8 kilometrash.

Ky rrufe kolosal i 22 tetorit 2017 ishte ndër të parët që u kap dhe u analizua nga sateliti meteorologjik GOES-16 i Agjencisë Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA) në SHBA.

Hartëzimi i rrufeve përmes satelitëve nisi në vitin 2016, ndaj të dhënat ende nuk janë të mjaftueshme për të nxjerrë përfundime të qarta për intensitetin, shpeshtësinë apo vendndodhjen e tyre.

“Na duhen edhe dhjetë vjet të tjera të dhënash për të nisur të japim përgjigje për këto çështje,” tha për AFP profesori Randall Cerveny, krijuesi i arkivit të fenomeneve ekstreme të motit dhe klimës në OBM.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore Meteorologjike, rrufeja më e gjatë në kohë zgjati 17,102 sekonda dhe ndodhi më 18 qershor 2020, mes Uruguait dhe Argjentinës.

Sa për rrufetë më vdekjeprurëse: në vitin 1975, 21 persona humbën jetën në një kasolle në Zimbabve, ndërsa në Egjipt, në vitin 1994, 469 persona u vranë nga një seri shpërthimesh në rezervuarë nafte, të shkaktuara nga goditjet e rrufesë.