Teliti: Sot 4 ministrat sollën përfaqësuesit e tyre në Bashkinë e Tiranës. Situata zgjidhet vetëm me zgjedhje të lira

Nëkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti i ftuar në Edicionin ‘Ora 19’ në SYRI TV, ka folur në lidhje me ndryshimet e paligjshme të bëra në bashkinë e kryeqytetit.

Gjatë bisedës me moderatorin Ervin Parruca, Teliti deklaroi se, ndryshimet e nënkryetarëve të bashkisë janë të paligjshme sepse i ka emëruar një kryetare e komanduar, e cila edhe vetë është jashtë ligjit aty.

Për Telitin, 4 nënkryetarët e rinj të bashkisë janë thjeshtë përfaqësues të ministrave që Edi Rama u ka deleguar punët e bashkisë së kryeqytetit.

‘Një person ka të drejtë të menaxhojë bashkinë e Tiranës. Kush është? Kryetari i bashkisë dhe ne sot kryetar bashkie ne nuk kemi.

Nuk ka të drejtë pozicioni i kryeministrit apo ministrave, që është pozicion ekzekutiv, të fusin hundët në punët e pushtetit vendor. Nuk kanë asnjë të drejtë.

Është shkelje e hapur e Kartës së Autonomisë Vendore, është shkelje e hapur e Kushtetutës së Shqipërisë, është në shkelje të hapur të ligjit për vetëqeverisjen vendore, që rregullon veprimtarinë e 61 bashkive të Shqipërisë.

Çdo të thotë erdhën 4 nënkryetarë të rinj? Asnjë lajm nuk përbën për mua, deri në momentin që menaxhimi politik i Bashkisë së Tiranës, është vetë kryeministri me 4 ministrat e vet.

Sot lajmi është se këta 4 ministra që u deleguan dy javë më parë, Manastirliu, Balluku, ministri i Financave dhe ministri i Ekonomisë, secili prej tyre zgjodhi nga një person sot që të mos shkojë ditë për ditë në zyrën e bashkisë, por të jetë ai personi që të jetë pika e kontaktit.

Asgjë nuk ka për të ndryshuar.

Ndryshimi vjen vetëm në një moment kur mazhoranca politike, në rastin konkret është PS-ja, e cila ka mazhorancën në Këshillin Bashkiak duhet të vendosë që të hapë rrugën për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Tiranë.

Vetëm kështu mund ti kthehemi normalitetit ne.

Emrat që erdhën sot, ata që ishin dje, apo të tjerë para tyre deri para disa muajsh janë thjeshtë një shou mediatik, për të thënë që, ja po bëjmë disa ndryshime. Kush janë dhe në çfarë autoriteti Kushtetues dhe ligjor bëhen këto ndryshime.

Kush i ka emëruar këta 4 nënkryetarët sot? Nënkryetarja e Bashkisë që është vetë e komanduar jashtë çdo afati ligjor kushtetues.

Mund të qëndronte si e komanduar për një afat 3 mujor. Më pas tani kemi dhe akuza të ngritura zyrtare, ku Erion Veliaj është një person i marrë i pandehur, tani ka një realitet të ri juridik përsa i përket statusit të Veliajt.

Tani qeveria duhet të marrë masat për të bërë zëvendësimin dhe zëvendësimi nuk bëhet me emërime. Zëvendësimi i kryetarit të bashkisë bëhet me zgjedhje’, tha Dorian Teliti në SYRI TV.