Plagosja me armë zjarri në Borsh/ Arrestohet autori i dyshuar, një tjetër shpallet në kërkim – Ja çfarë ndodhi mes shokëve

Detaje të reja dalin nga ngjarja e ndodhur orët e para të mëngjesit të sotëm në Borsh, ku mbeti i plagosur Erald Shullazi. Sipas policisë, ngjarja la ndodhur në një lokal në fshatin turistik bregdetar.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:20, kur shtetasi Hekuran Çelaj, 42 vjeç, banues në Borsh, dyshohet se është përfshirë në një konflikt fizik për motive të dobëta me shtetasin E. V., 55 vjeç, banues në Tiranë. Ky i fundit e ka goditur me grushte Hekuran Çelaj, i cili më pas është larguar nga lokali dhe është rikthyer me një armë zjarri automatike, me të cilën ka qëlluar në drejtim të automjetit tip “Volkswagen”, që drejtohej nga shtetasi Erald Shullazi, 33 vjeç.

Si pasojë e të shtënave, Erald Shullazi ka mbetur i plagosur në shpatull dhe në këmbë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spital. Po ashtu, dyshohet se Hekuran Çelaj ka goditur me qytën e armës edhe një person tjetër, shtetasin A. D., 43 vjeç.

Pas ndërhyrjes së menjëhershme të policisë dhe veprimeve hetimore të shpejta, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Hekuran Çelaj , i cili tashmë përballet me akuzat për “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Ndërkohë, është shpallur në kërkim edhe shtetasi E. V., i cili akuzohet për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.

Në vendin e ngjarjes, policia ka sekuestruar si prova materiale katër gëzhoja dhe një krehër me fishekë. Hetimet vijojnë për gjetjen e armës së përdorur dhe për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në konflikt.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për vijimin e hetimeve.