Sektori evropian i akomodimit përballet me mungesë të theksuar të punonjësve të kualifikuar, pavarësisht pritshmërive optimiste për rritje

Ndërsa 63% e operatorëve evropianë të akomodimit presin rritje gjatë vitit të ardhshëm, sfidat në gjetjen e stafit të kualifikuar po bëhen gjithnjë e më të theksuara. Sipas Barometrit Evropian të Akomodimit 2025, të publikuar nga Booking.com dhe Statista, thuajse gjysma e hotelierëve (47%) raportojnë vështirësi në punësimin dhe mbajtjen e punonjësve me aftësitë dhe përvojën e nevojshme.

Anketa përfshiu 1,160 drejtues dhe menaxherë në të gjithë sektorin evropian të akomodimit, duke evidentuar një dallim të qartë në politikat e punësimit midis hoteleve të pavarura dhe atyre zinxhir. Hotelet e pavarura synojnë të punësojnë mesatarisht 2.72 punonjës gjatë 12 muajve të ardhshëm, ndërsa hotelet zinxhir planifikojnë të shtojnë rreth 5.85 punonjës.

Dallime të theksuara vërehen edhe në nivel shtetëror: Greqia dhe Spanja shfaqin kërkesën më të lartë për staf të ri, me përkatësisht 8.8 dhe 8.3 punonjës të planifikuar për t’u punësuar, ndërkohë që Gjermania dhe Austria tregohen më të kujdesshme, me vetëm 1.6 dhe 2.4 punonjës të parashikuar.

Sipas raportit, bizneset më të mëdha përballen me nevoja më të mëdha punësimi, sidomos për pozicione të ulëta ose sezonale si pastrimi, shërbimet e ushqimit dhe recepsioni, të cilat janë më të lehta për t’u mbushur. Por sfida më e madhe qëndron në rekrutimin për role menaxheriale, ku raporti thekson se për çdo rast të suksesshëm, dhjetë të tjerë raportojnë vështirësi.

Ndërkohë, pozicionet në mirëmbajtje rezultojnë të kenë një “disponueshmëri” më të lartë me një vlerësim prej 0.6, ndërsa për rolet drejtuese ky tregues ngjitet në 9.6, duke dëshmuar vështirësinë në gjetjen e kandidatëve të përshtatshëm.

Hendeku i aftësive ndikon veçanërisht fort në akomodimet e vogla dhe të pavarura, ku 17% nuk ofrojnë asnjë formë trajnimi për stafin, krahasuar me vetëm 2% të hoteleve zinxhir që ndjekin të njëjtën praktikë.

Raporti nënvizon se pritshmëritë e larta për paga dhe mungesa e balancës midis jetës personale dhe asaj profesionale janë faktorë kryesorë që ndikojnë në mungesën e kandidatëve të kualifikuar, veçanërisht në Itali (70%) dhe vendet nordike (63%). Gjithashtu, sezonaliteti dhe mungesa e stabilitetit në punësim përbëjnë shqetësime të mëdha në Greqi (58%) dhe Kroaci (56%).

“Pavarësisht optimizmit, pengesat më të mëdha për akomodimet evropiane mbeten kostot në rritje, mungesa e personelit dhe e aftësive digjitale,” deklaroi Peter Lochbihler, Drejtor Global i Çështjeve Publike në Booking.com.