'Drejtësia është kthyer në fasoneri që ndëshkon me porosi'/ Çollaku: Rama kërkon të burgosë çdo zë të lirë

Gazetari Basir Çollaku ka komentuar ndryshimet e propozuara nga qeveria në Kodin Penal, gjatë një interviste në edicionin e pasdites në Syri TV me moderatorin Arnold Kariqi. Çollaku i cilësoi amendimet si një përpjekje të qartë të kryeministrit Edi Rama për të goditur kritikët dhe për të frikësuar ata që mendojnë ndryshe.

“Përpjekja e Ramës për të trysnuar ata njerëz të mbetur rezistent dhe këdo tjetër që mendon ndryshe është e dukshme. Në çdo fushë, në çdo episod të jetës së përditshme, ai kërkon një mënyrë për të dënuar këdo me burg”, tha Çollaku, duke shtuar se drejtësia shqiptare funksionon si “fasoneri dhe mesazheri”, ku vendimet vijnë nga telefonata apo letra të porositura.

Sipas gazetarit, ndryshimet në Kodin Penal nuk janë gjë tjetër veçse një zgjatim i një zyre juridike në Këshillin e Ministrave, që synon të mbjellë panik dhe të shtojë ndëshkimet për liritë qytetare. Ai paralajmëroi se kjo tentativë prek sidomos lirinë e medias dhe të shprehjes.

“Të dënonsh me burg gazetarët është thellësisht shqetësuese. Unë dhe shumë kolegë të mi jemi të bindur se nuk do ndalemi as nga ky Kod Penal e as nga ndonjë tjetër që mund të shpikë Rama. Liria e fjalës, e shprehjes dhe e denoncimit do të mbrohen”, deklaroi Çollaku.

Më tej, ai theksoi se kushdo që i del përpara Edi Ramës e bën këtë për të denoncuar, jo vetëm atë, por edhe rrethin e tij të afërt – përfshirë Olsi Ramën, ministrat, bashkiakët, deputetët, banditët dhe mafiozët që, sipas tij, janë të lidhur me pushtetin.

Çollaku:

Përpjekja e Ramës për të trysnuar, le të themi, ato njerëz të mbetur rezistent dhe këdo tjetër që mendon ndryshe, në çdo fushë, në çdo episod të jetës së përditshme, ai ka një episod që ai e ka gjetur shtegun për të dënuar këdo me burg dhe sigurisht, e dimë funksionimin e deritanishëm të drejtësisë fatkeqësisht, që është fasoneri, është mesazheri, dërgohet letra, mesazhi, telefonata e caktuar se njëri apo tjetri, i sanksionuari duhet të fillojë të ndëshkohet dhe nis operacioni institucional.

Kjo nuk është gjë tjetër veçse një zgjatim i një zyre juridike në Këshillin e Ministrave e cila do ta përdorë këtë kohë për të ngjallur panik, për të ngjallur frikë dhe për të shtuar dënimin e lirive.

Kjo e lirisë së medias, edhe kjo është më thelbësore të ndalemi, të dënonsh me burg gazetarët? Unë dhe shumë kolegë të mi jemi të bindur që nuk do ndalojnë as nga ky Kod Penal, as nga një kod tjetër që do të ofrojë Rama për të ndaluar lirinë e shprehjes, së fjalës, së denoncimit, sepse jam i bindur tërësisht se do të shtohet sasia e njoftimeve e dosjeve që prodhohen.

Dhe kujt po i del para Edi Rama, po i del para sepse do denoncojmë Edi Ramën, do denoncojmë Olsi Ramën, do denoncojmë ministrant e tij, bashkiakët e tij, deputetët e tij, banditët dhe mafiozët e lidhur me të.