Shkenca 'magjepsëse' e dhimbjes, pse secili prej nesh e ndjen ndryshe

Kur kapiteni legjendar i Rabbitohs, John Sattler, luajti pothuajse gjithë finalen e madhe të vitit 1970 me nofullën e thyer në tre vende, ai nuk u kthye thjesht në hero futbolli, ai u bë simboli i asaj që shumëkush mendon se është një “prag i lartë i dhimbjes”. Por çfarë është realisht dhimbja? Dhe pse disa njerëz, si Sattler, duket se e përballojnë më lehtë sesa të tjerët?

Shkenca moderne e ka kthyer vëmendjen nga miti i “të fortit” drejt një të vërtete më komplekse dhe më interesante. Dhimbja nuk është thjesht një reagim fizik ndaj dëmtimit. Ajo është një përvojë personale, që ndërthuret me biologjinë, mendimet tona, emocionet dhe madje edhe rrethanat shoqërore në të cilat ndodhemi.

Profesor Lorimer Moseley, një nga studiuesit më të njohur të fushës, kujton një episod nga koha kur ishte student: një burrë hyn në urgjencë me një çekan të ngulur në qafë, i qetë dhe i kthjellët, por ulërin kur përplas gjurin pas një tavoline. Kjo, thotë ai, është prova që dhimbja nuk është gjithmonë e lidhur me nivelin e dëmtimit fizik. Truri vendos kur të na “ndezë alarmet”, në varësi të asaj se sa i rrezikuar ndihet trupi në atë moment.

Dhimbja është një sistem mbrojtës, jo një matës objektiv i dëmtimit. Një ushtar mund të ecë pa ndjerë dhimbje edhe pasi ka humbur një gjymtyrë, ndërsa një gërvishtje e vogël mund të ndjehet si fundi i botës në një moment stresi apo frike.

Përvojat personale, pritshmëritë dhe qëllimet tona luajnë një rol vendimtar.

Një violinist, për shembull, do të ndjejë më shumë dhimbje në dorën me të cilën luan, sepse dëmtimi mund t’i shkatërrojë karrierën. Një fermer, në anën tjetër, mund të shpërfillë dhimbjen, sepse e ka normalizuar si pjesë të punës së përditshme.

Shkencëtarët thonë se njerëzit që janë më të orientuar drejt shpërblimit, kanë më shumë gjasa të jenë më të fortë. Dhe po, edhe biologjia luan rolin e vet: hormonet, gjinia, trashëgimia gjenetike dhe madje edhe ngjyra e flokëve (siç duket, personat me flokë të kuqe reagojnë ndryshe ndaj temperaturës).

Por asgjë nuk është aq e thjeshtë.

Një njeri mund të përballojë dhimbje ekstreme në një rast, dhe të thyhet nga një shqetësim i vogël në një moment tjetër.

Dhimbja është edhe fizike, edhe mendore. Ajo lind në tru dhe është vetë truri që vendos kur të na paralajmërojë dhe kur të na lejojë të ecim përpara, edhe me një nofull të thyer.

E tillë është edhe historia e John Sattler. Ai nuk ishte një njeri anormal. Ishte një njeri me motivim të madh, nën adrenalinë, i mësuar me përplasje dhe i rrethuar nga pritshmëritë e larta të njerzve. Truri i tij nuk i kërkoi të ndalonte sepse në atë moment, për të, fitorja ishte më e rëndësishme sesa dhimbja.

Nëse ndonjëherë keni pyetur veten “A kam prag të lartë dhimbjeje?”, përgjigjja është: varet. Varet nga trupi juaj, nga mendja juaj, nga përvoja juaj, nga frika dhe nga dëshira për të vazhduar. Dhe siç thotë profesori Moseley, “është i njëjti njeri që e krijon dhimbjen dhe që e përballon atë”.

Dhimbja është e ndërlikuar, personale dhe e pabesueshme. Pkërisht këto elementë e bëjnë atë kaq njerëzore…