Klevis Balliu: Task-Forca e Dumanit, punoi për mbrojtjen e pushtetit të Ramës! Nuk hetoi krimet elektorale...

Shefi i organizimit në Partinë Demokratike, Klevis Balliu, në intervistën në SYRI TV, lëshoi akuza të forta ndaj drejtuesit të SPAK-ut, Altin Dumani, duke thënë se ai është në mbrojtje të hapur të krimeve elektorale dhe se shërben ndaj pushtetit të Edi Ramës.

Balliu e cilësoi task-forcën e krijuar nga SPAK si një instrument për të mbuluar manipulimet zgjedhore, e jo për t’i hetuar ato. Ai renditi disa fakte dhe veprime të munguara nga SPAK, që sipas tij, dëshmojnë për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me strukturat kriminale në zgjedhje.

Klevis Balliu: Nga perspektiva e Dumanit, ajo e suksesshme ishte, sepse qëllimi i Dumanit ishte që të mbronte pushtetin e Ramës dhe të mbronte krimet elektorale. Ai me këtë task-forcë arriti me sukses të mbrojë krimet elektorale. Ky ka qenë qëllimi i tij. Kjo nuk është habi për ne që e kemi denoncuar, mund të jetë habi për dikë tjetër i cili mendonte se kjo task-forcë kishte për qëllim të ndalonte krimet elektorale dhe të dënonte krimet elektorale.

Në asnjë sekondë, minorë, orë apo ditë të vetme, kjo task-forcë nuk ka patur mision ndalimin e krimeve elektorale. Përkundrazi, SPAK dhe Dumani kanë qenë aleatë të kriminelëve elektoralë. Dhe këtu ka fakte për këtë çështje. Fakti i parë është vonesa e fletë arresteve për Troplinët. Fakt i ditur.

E dyta... T’ju jap një detaj: PD ka kërkuar videot e qendrave të votimit KQZ-së, sepse aty janë parë tregi bullgar, votime nga dy herë e tre herë nga i njëjti person, eksponentë të krimit të organizuar të cilët kanë qenë brenda këtyre institucioneve siç ka qenë dhe rasti i Vorës. Pse SPAK nuk i ka kërkuar këto video për të hetuar krimin elektoral? Sepse ai nuk ka në plan ta hetojë. Ai ka në plan ta fshehë krimin elektoral. Ai sot tha se risia për SPAK-un ishte krimi elektoral.

Por, risia ishte fasada për krimin elektoral, sepse krimi elektoral aty ka qenë. Kujt ja tregon ky këto?

Altin Dumani është automatikisht certifikuesi numër një i vjedhjeve dhe i krimit elektoral. Është krahu i djathtë i kriminelëve elektoralë. Deklaratat e shëmtuara që ai bëri sot, të pafytyra, ai demonstroi se në misionin e tij thelbësor, është mbrojtja e pushtetit të Ramës. E dyta, ai tha se ka bashkëpunuar me partitë politike. Cilat parti?