Lituani/ Kryeministri Paluckas jep dorëheqjen për shkak të hetimit për krim financiar
Kryeministri i Lituanisë, Gintautas Paluckas, njoftoi dorëheqjen e tij ndërsa vijon një hetim për dyshime shkeljesh financiare lidhur me kompani që ai ka në pronësi.
“Rreth një orë më parë i informova presidentin se kam marrë vendimin të jap dorëheqjen nga pozita e kryeministrit,” tha Paluckas në një deklaratë zyrtare.
Ai shtoi se po jep dorëheqjen edhe nga drejtimi i Partisë Socialdemokrate.
“Edhe pse po jap dorëheqjen nga detyrat aktuale, do të vazhdoj të mbroj nderin dhe dinjitetin tim, dhe pres rezultatet e hetimeve, të cilat jam i bindur se do të dallojnë faktet nga supozimet,” theksoi ai.
Sipas mediave lokale, sot u raportua se Shërbimi i Hetimeve për Parregullsitë Financiare (FNTT) në Lituani kishte kontrolluar zyrat e Dankora-s, një kompani në pronësi të kunatës së Paluckas.
Kompania kishte përdorur fonde nga Bashkimi Europian për të blerë sisteme baterish nga Garnis, një kompani që pjesërisht i përket Paluckas.
Gazetarë hetues në Lituani zbuluan në maj se Garnis kishte përfituar një kredi të subvencionuar nga shteti ndërkohë që Paluckas ishte kryeministër.
Autoritetet nisën një hetim që vijon ende.
Gintautas Paluckas ishte më parë dënuar për keqpërdorim të detyrës kur ishte kryetar i administratës së komunës së Vilniusit, me gjobë si masë ndëshkuese.