Tedi Blushi: SPAK-u i Edi Ramës, vegël politike e regjimit për të mbuluar krimet zgjedhore
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook, ku akuzon SPAK-un si një instrument në duart e kryeministrit Edi Rama për të mbuluar krimet zgjedhore të 11 majit.
Ai e cilëson si “vegël të regjimit” strukturën e posaçme antikorrupsion, ndërsa thotë se e ashtuquajtura “Task Forca” për parandalimin e krimeve zgjedhore ka qenë vetëm një fasadë politike për të goditur opozitën.
Sipas Blushit, në zgjedhjet e fundit, bandat elektorale me mbështetje qeveritare kanë blerë vota, kanë kërcënuar qytetarë dhe kanë terrorizuar opozitën në sy të publikut dhe mediave. Ai thekson se në Vorë, këto grupe kriminale kanë vepruar si një shtet paralel, ndërsa SPAK ka heshtur dhe vijon të mos reagojë edhe sot.
Blushi i bën thirrje publikisht kreut të SPAK, Altin Dumani, duke e akuzuar se nuk ka ndërmarrë asnjë veprim pavarësisht videove dhe provave të shumta për presion ndaj opozitës. Ai e quan një tallje cinike pretendimin se krimet zgjedhore janë parandaluar dhe shprehet se drejtësia është e kapur nga regjimi i Edi Ramës.
“Pallavrat ‘off record’ të Dumanit janë dëshmi e shërbimit të verbër që ai i bën këtij regjimi”, përfundon reagimin e tij Blushi.
Blushi:
𝐒𝐏𝐀𝐊-𝐮 𝐢 𝐄𝐝𝐢 𝐑𝐚𝐦𝐞̈𝐬, 𝐯𝐞𝐠𝐞̈𝐥 𝐞 𝐫𝐞𝐠𝐣𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐩𝐞̈𝐫 𝐭𝐞̈ 𝐦𝐛𝐮𝐥𝐮𝐚𝐫 𝐤𝐫𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐳𝐠𝐣𝐞𝐝𝐡𝐨𝐫.
E ashtuquajtura “Task Force” imagjinare për parandalimin e krimeve zgjedhore nuk ekzistoi kurrë. Ishte një fasadë e shëmtuar, një "zorrë qorre" politike e Edi Ramës për të goditur vetëm opozitën dhe për të justifikuar farsën dhe terrorin elektoral të 11 Majit.
Në realitet, bandat elektorale me mbështetje qeveritare blenë hapur vota, kërcënuan botërisht qytetarë, terrorizuan para mediave opozitarë dhe morën në mes të ditës peng qendrat e votimit.
Në Vorë, bandat kriminele të Edi Ramës vepruan si shtet paralel, ndërsa SPAK heshti. Hesht edhe sot për ata banditë elektoralë që pa maska, por me bejxha të KQZ vrisnin votën e lirë pa hyrë as në qendrën e votimit e jo më në kuti!
Provat janë të panumërta. Videot ku përfaqësues të opozitës kërcënohen në mënyrë të hapur nuk mjaftuan që Altin Dumani të lëvizë as gishtin.
Prandaj, pallavrat e tij "off record" se krimet zgjedhore u “parandaluan” janë jo vetëm një tallje cinike me qytetarët, por edhe dëshmi e kapjes së drejtësisë nga regjimi, të cilit Dumani i shërben verbërisht.