Zjarret në Portugali djegin tre herë më shumë tokë se vitin e kaluar
Zjarret rurale në Portugali kanë shënuar një rritje të ndjeshme në vitin 2025, me 3,370 zjarre të regjistruara që nga fillimi i vitit deri më 15 korrik, duke djegur një sipërfaqe prej 10,768 hektarësh, sipas të dhënave zyrtare të publikuara të mërkurën nga Instituti Kombëtar për Ruajtjen e Natyrës dhe Pyjeve (ICNF). Kjo sipërfaqe është më shumë se trefishi i asaj të regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur u dogjën 3,462 hektarë.
Pjesa më e madhe e tokës së djegur këtë vit përbëhet nga zona me shkurre (4,736 ha), të ndjekura nga pyjet (3,762 ha) dhe toka bujqësore (2,271 ha). Megjithëse numri total i zjarreve është 36% më i ulët dhe sipërfaqja e djegur 46% më pak në krahasim me mesataren vjetore të dhjetëvjeçarit të fundit, zjarret e këtij viti janë konsideruar më agresive dhe më të vështira për t’u menaxhuar.
Sipas ICNF, 22 nga zjarret e regjistruara janë klasifikuar si “zjarre në shkallë të gjerë”, që kanë djegur mbi 100 hektarë secili, duke përfshirë në total 6,112 hektarë – ose 57% të sipërfaqes totale të djegur deri më tani. Ky është viti i katërt me më pak zjarre, por i pesti me më shumë tokë të djegur që nga viti 2015.
Distriktet më të prekura janë Évora me 2,438 hektarë, Beja me 2,058 hektarë dhe Viana do Castelo me 1,522 hektarë. Ndërsa qershori është shënuar si muaji më problematik, me 1,251 zjarre (37% e totalit) dhe 3,367 hektarë të djegura, që përbëjnë 31% të sipërfaqes së përgjithshme të dëmtuar.
Autoritetet theksojnë se shkaqet kryesore të zjarreve janë zjarrvënia e qëllimshme (24%), djegia e mbeturinave pyjore ose bujqësore në sipërfaqe të mëdha (13%) dhe djegia e grumbujve të mbetjeve (11%). Deri më tani janë hetuar 2,374 raste me shkaqe të përcaktuara, ndërsa Policia Gjyqësore ka arrestuar 26 persona të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme – një rritje në krahasim me vitin e kaluar, kur u arrestuan 20 persona.
Zjarret e fundit në Arouca dhe Ponte da Barca kanë përkeqësuar më tej situatën. Në Arouca janë shkatërruar rreth 4,000 hektarë, ndërsa në Ponte da Barca zjarri mbetet aktiv, me qindra forca operacionale dhe avionë zjarrfikës – përfshirë ndihmën nga Spanja – që po përpiqen të vënë flakët nën kontroll. Autoritetet paralajmërojnë se shifrat mund të rriten ndjeshëm në javët në vijim.