Të moshuarit që ndjekin dieta të shëndetshme zhvillojnë më ngadalë sëmundje kronike
Imagjinoni dy persona në të 70-at e tyre. Të dy janë aktivë, jetojnë në mënyrë të pavarur dhe e shijojnë jetën. Por gjatë 15 viteve të ardhshme, njëri prej tyre zhvillon dy ose tri sëmundje kronike, sëmundje zemre, diabet, depresion, ndërsa tjetri mbetet relativisht i shëndetshëm. Çfarë e bëri ndryshimin?
Sipas hulumtimit tonë të ri, dieta mund të jetë një pjesë kyçe e përgjigjes.
Në studimin tonë të fundit, grupi ynë në Qendrën e Kërkimeve mbi Plakjen në Institutin Karolinska, Suedi, ndoqi për 15 vite më shumë se 2400 të moshuar suedezë.
Zbuluam se njerëzit që hanin vazhdimisht një dietë të shëndetshme zhvillonin më ngadalë sëmundje kronike, në kontrast me ata që ndiqnin dieta më inflamatore; pra, dieta të pasura me mishra të përpunuar, drithëra të rafinuara dhe pije të ëmbla, të cilat dihet se nxisin inflamacion të vazhdueshëm në trup në nivele të ulëta.
Kjo është e rëndësishme sepse të kesh disa sëmundje në të njëjtën kohë është një nga problemet më të mëdha që përballen të moshuarit. Kjo rrit rrezikun për paaftësi, shtrime në spital dhe vdekje të hershme. Gjithashtu vendos një barrë të madhe mbi sistemet shëndetësore. Edhe pse prej kohësh dihet që dieta mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjeve të veçanta, studimi ynë tregon se ajo mund të ndikojë gjithashtu edhe në ritmin e përgjithshëm të plakjes biologjike.
Vëzhguam katër modele të njohura dietike. Tre prej tyre, dieta MIND (e krijuar për të mbrojtur shëndetin e trurit), Indeksi Alternativ i Ushqyerjes së Shëndetshme (bazuar në ushqimet që lidhen me rrezik më të ulët për sëmundje) dhe dieta Mesdhetare, u lidhën me një grumbullim më të ngadaltë të sëmundjeve. Ndërsa e katërta, një dietë e pasur me ushqime inflamatore, lidhej me një grumbullim më të shpejtë.
Lidhjet më të forta u panë për sëmundjet kardiovaskulare dhe ato psikiatrike. Pra, njerëzit që ushqeheshin më mirë kishin më pak gjasa të zhvillonin sëmundje si insuficiencë kardiake, goditje në tru, depresion apo demencë. Megjithatë, nuk gjetëm një lidhje të qartë midis dietës dhe sëmundjeve të sistemit muskulor e skeletor si artriti apo osteoporoza.
Disa nga përfitimet e ushqyerjes së shëndetshme ishin më të dukshme te gratë dhe te pjesëmarrësit më të moshuar: ata mbi 78 vjeç. Kjo sugjeron se nuk është kurrë vonë për të bërë ndryshime. Edhe në moshë shumë të madhe, dieta ka rëndësi.
Pse ka ushqimi një ndikim kaq të fuqishëm? Një arsye mund të jetë inflamacioni. Ndërsa njerëzit plaken, shumë prej tyre zhvillojnë inflamacion të vazhdueshëm me intensitet të ulët, ndonjëherë i quajtur “inflammaging”, i cili lidhet me një gamë të gjerë sëmundjesh. Dietat e pasura me perime, fruta, drithëra të plota dhe yndyra të shëndetshme zakonisht e ulin inflamacionin. Ndërsa dietat e pasura me ushqime shumë të përpunuara dhe sheqer bëjnë të kundërtën.
Një arsye tjetër është se dietat e shëndetshme mbështesin qëndrueshmërinë e trupit. Ato ofrojnë lëndë ushqyese thelbësore që ndihmojnë në ruajtjen e funksionit imunitar, masës muskulore dhe shëndetit mendor. Me kalimin e kohës, kjo mund të bëjë një ndryshim të madh në mënyrën se si njerëzit plaken.
Studimi ynë është një nga më të gjatat dhe më të gjithanshmet në llojin e vet. Ne përdorëm vlerësime të përsëritura të dietës dhe ndoqëm më shumë se 60 gjendje shëndetësore kronike. Gjithashtu testuam gjetjet tona me metoda të ndryshme analitike për t'u siguruar që ato qëndrojnë.
Sigurisht, dieta është vetëm një pjesë e mozaikut. Aktiviteti fizik, lidhjet sociale dhe qasja në kujdes shëndetësor luajnë të gjitha role të rëndësishme në një plakje të shëndetshme. Por përmirësimi i cilësisë së dietës është një mënyrë relativisht e thjeshtë dhe e arritshme për të ndihmuar të moshuarit të jetojnë më gjatë dhe më shëndetshëm.
Pra, çfarë duhet të hanë të moshuarit? Mesazhi është i qartë: hani shumë perime, fruta, bishtajore, arra dhe drithëra të plota. Zgjidhni yndyra të shëndetshme si vaji i kolzës dhe peshkut. Kufizoni mishin e kuq dhe të përpunuar, pijet me sheqer dhe yndyrnat e ngurta.
Këto janë bazat e dietave që kemi studiuar, dhe ato janë lidhur me një plakje më të ngadaltë, shëndet më të mirë të trurit dhe më pak sëmundje kronike në këtë dhe në kërkime të tjera.
Plakja është e pashmangshme. Por njerëzit mund të ndikojnë në mënyrën se si ajo zhvillohet. Gjetjet tona sugjerojnë se edhe ndryshime të vogla në dietë mund të sjellin një ndryshim domethënës në përvojën e jetës në pleqëri, pavarësisht nga mosha. / The Conversation - Syri.net