OBSH konfirmon mbërritjen e 10 kamionëve me ndihma në pikën kufitare Kerem Shalom

Sigurimi i një rrjedhe të vazhdueshme të ndihmës mjekësore për Rripin e Gazës është ‘i domosdoshëm’, deklaroi ditwn e sotme drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Sipas tij, dhjetë kamionë me ndihma mjekësore të dërguara nga OBSH kanë mbërritur në pikën kufitare izraelite të Kerem Shalom dhe janë në pritje për të hyrë në territorin palestinez.

Dy kamionë të tjerë, përfshirë dymbëdhjetë paleta me produkte të gjakut, pritet të arrijnë të enjten. “Më pas, të gjitha furnizimet e OBSH-së do të dërgohen në Gaza, së bashku me tre kamionë të tjerë që transportojnë ndihma mjekësore të ofruara nga partnerët tanë”, sqaroi Ghebreyesus.

“Kërkesat për kujdes shëndetësor në Rripin e Gazës janë të mëdha. Ndihma duhet të vijojë pa ndërprerje”, theksoi ai, duke përsëritur kërkesën për “akses të qëndrueshëm, të sigurt dhe të papenguar për ndihmën mjekësore në Gaza, si dhe një armëpushim”. “Paqja është ilaçi më i mirë”, shtoi kreu i OBSH-së.

Izraeli e bllokoi plotësisht Gazën më 2 mars, pasi dështuan bisedimet për armëpushim. Në fund të majit, filloi të lejonte hyrjen e ndihmës humanitare, në sasi të kufizuara, mes paralajmërimeve për rrezikun e urisë.

Këtë javë, ushtria izraelite ka nisur të ndërpresë përkohësisht operacionet në disa zona të Gazës, duke hapur korridore të sigurta për të lejuar shpërndarjen e ndihmës nga OKB-ja dhe organizatat humanitare.

OBSH paralajmëron se sistemi shëndetësor në Gaza është drejt kolapsit për shkak të luftës, mungesës së karburantit, ushqimeve dhe materialeve mjekësore. Shumë spitale janë jashtë funksionit, ndërsa disa ofrojnë vetëm shërbime minimale.

Një zëdhënës i OBSH-së sqaroi për agjencinë AFP se në Gaza kanë hyrë në total: nëntë kamionë më 25 qershor, katër më 28 qershor, njëmbëdhjetë më 8 korrik dhe gjashtë të tjerë më 20 korrik. “Që nga rifillimi i dërgimit të ndihmës, asnjë kamion nuk është grabitur”, theksoi ai. Syri.net-CNN.gr