Drejtori i FBI-së gjen mijëra dokumente të ndjeshme të hetimit Trump-Rusi brenda 'qeseve për tu djegur' në një dhomë sekrete në FBI
Një zbulim dramatik në selinë qendrore të FBI-së ka ndezur alarmin në qarqet politike dhe të sigurisë kombëtare në Shtetet e Bashkuara. Drejtori i FBI-së, Kash Patel, ka zbuluar një dhomë të fshehtë të pajisur si një ambient i klasifikuar i mbrojtur (SCIF), e panjohur më parë për publikun apo për vetë zyrtarët aktualë të agjencisë, në të cilën ishin depozituar me mijëra dokumente të ndjeshme të vendosura në çanta “djegëse” – një sistem që përdoret për të asgjësuar informacione të klasifikuara.
Sipas burimeve për Fox News Digital, disa prej dokumenteve të gjetura përfshijnë aneksin e klasifikuar të raportit përfundimtar të ish-prokurorit të posaçëm John Durham, që hetoi mbi origjinën e hetimit të njohur si “Crossfire Hurricane”, i cili u hap nga FBI në korrik 2016 për të hetuar lidhjet e supozuara mes fushatës së Donald Trump dhe qeverisë ruse. Aneksi përmban inteligjencën bazë të shqyrtuar nga Durham dhe do të deklasifikohet në bashkëpunim të ngushtë me drejtues të nivelit më të lartë, përfshirë drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, drejtoren e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi dhe drejtorin e përkohshëm të Agjencisë për Sigurinë Kombëtare (NSA), William Hartman.
Zbulimi më i rëndë lidhet me faktin se inteligjenca amerikane, përpara hapjes zyrtare të hetimit, kishte sinjale nga burime të huaja të besueshme që paralajmëronin përfshirjen e FBI-së në përhapjen e narrativës për lidhje të rreme Trump–Rusi, duke e bërë të dyshimtë të gjithë operacionin “Crossfire Hurricane”. Burimet i thanë Fox News Digital se kjo inteligjencë parashikonte “me specifikë shqetësuese” lëvizjet e FBI-së dhe se nuk mund të jetë rastësi që vetëm disa ditë pas mbledhjes së saj, hetimi u lançua.
Një nga dokumentet më të ndjeshme të gjetura në çantat “djegëse” është raporti i klasifikuar që po shqyrtohet aktualisht nga senatori Chuck Grassley, kryetar i Komitetit të Senatit për Gjyqësorin, i cili pritet ta bëjë atë publik. Sipas burimeve, ky raport mund të provojë ekzistencën e një skeme të koordinuar brenda qeverisë amerikane për të ndihmuar fushatën e Hillary Clinton në vitin 2016 përmes fabrikimit të një lidhjeje mes Trump dhe Rusisë.
Drejtori Patel, i cili në të kaluarën ka qenë këshilltar për sigurinë kombëtare dhe hetuesi kryesor në Komisionin e Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve nën drejtimin e Devin Nunes, ka qenë një figurë kyçe në ekspozimin e keqpërdorimeve të mundshme nga agjencitë amerikane të sigurisë. Ai tashmë ka dorëzuar dokumentet në zyrën e senatorit Grassley, ndërsa pjesë të tjera të dokumentacionit po u kalohen komiteteve përkatëse në Kongres, në kuadër të hetimeve të nisura.
Dokumentet e gjetura përfshijnë edhe prova mbi mënyrën si u përdor dosja e financuar nga fushata e Clinton për të marrë urdhra mbikëqyrjeje ndaj ish-këshilltarit të Trump, Carter Page. Dëshmi nga ish-drejtues të FBI-së, përfshirë Andrew McCabe, tregojnë se pa dosjen e Steele – një dokument i paverifikuar dhe me burim politik – nuk do të ishte lëshuar asnjë urdhër FISA. Megjithatë, kur FBI aplikoi për urdhrin, nuk e përmendi burimin politik të financimit.
Drejtori Patel ka nisur ndërkohë edhe hetime penale ndaj ish-drejtorit të CIA-s, John Brennan, dhe ndaj James Comey, të cilët ishin figura kyçe gjatë hapjes së hetimit ndaj Trump. Po ashtu, ish-zyrtarët e administratës Obama, sipas transkripteve të publikuara nga Komisioni i Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, kishin pranuar se nuk kishin “asnjë provë empirike” që të provonte koluzionin Trump–Rusi.
Kjo ngjarje pritet të tronditë sërish skenën politike amerikane, duke hapur rrugën për një përballje të re mes institucioneve federale, ndërsa drejtuesit aktualë dhe të mëparshëm të FBI-së janë vënë në presion për të dhënë shpjegime. Ish-drejtori Christopher Wray dhe James Comey nuk kanë dhënë ende një koment për ngjarjen. Ndërsa për shumë kritikë të FBI-së, ky është vetëm fillimi i zbardhjes së një ndër skandalet më të mëdha të sigurisë dhe politikës në historinë moderne të SHBA./ Fox News - Syri.Net