Roma bëhet ent kushtetues, miratohet reforma që i jep kryeqytetit status të veçantë në Kushtetutë

Qeveria italiane ka miratuar sot një reformë kushtetuese me rëndësi të veçantë: Romës Kryeqytet i njihet zyrtarisht statusi i entit përbërës të Republikës, përkrah Komunave, Provincave, Qyteteve Metropolitane, Rajoneve dhe Shtetit. Lajmi u konfirmua pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Gazetarja Alba Kepi raporton për Syrin se reforma, e cila përfshin ndryshimin e nenit 114 të Kushtetutës, i jep Romës jo vetëm një rol të veçantë simbolik, por edhe kompetenca legjislative dhe administrative konkrete në fusha kyçe si: transporti publik, planifikimi urban, tregtia, turizmi, politikat sociale dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore.

Në një videomesazh drejtuar qytetarëve, Kryeministrja Giorgia Meloni deklaroi:

“Me këtë reformë i rikthejmë qytetit vlerën që historia i ka njohur gjithmonë. Roma Kryeqytet nuk është një qytet si gjithë të tjerët. Të investosh në Romë do të thotë të investosh në të ardhmen e Kombit.”

Projektligji përcakton gjithashtu që një ligj i posaçëm shtetëror, i miratuar me shumicë absolute nga të dyja dhomat e Parlamentit, do të rregullojë strukturën e re të qeverisjes së Romës dhe do të garantojë autonomi administrative dhe financiare, në përputhje me Kushtetutën italiane.

Çfarë ndryshon me reformën;
– Roma përfshihet si ent kushtetues
– Merr pushtet legjislativ në disa fusha
– Garantohet autonomi financiare
– Ligji hyn në fuqi pas zgjedhjeve të ardhshme lokale

Reforma pritet të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve të ardhshme për Asamblenë e Romës Kryeqytet. Një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit institucional italian dhe forcimit të rolit të kryeqytetit në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare.