Rekord historik i thatësirës/ Preket gjysma e Evropës

Më shumë se 52% e tokave në Evropë dhe rajonin e Mesdheut janë prekur nga thatësira në fillim të korrikut, sipas një analize të Agjencisë Franceze të Lajmeve (AFP) mbi të dhënat më të fundit të Vëzhguesit Evropian të Thatësirës (EDO).

Ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për periudhën nga 1 deri më 10 korrik, që prej fillimit të mbajtjes së regjistrimeve në vitin 2012, 21% mbi mesataren e periudhës 2012–2024. Megjithatë, në krahasim me dhjetëditëshin e fundit të qershorit, kur u shënua rekordi absolut me 55.5% të tokave të prekura, niveli i thatësirës ka pësuar një rënie të lehtë.

Indeksi i thatësirës i programit ‘Copernicus’ i Bashkimit Evropian, i bazuar në vëzhgime satelitore, kombinon tre faktorë si reshjet, lagështinë e tokës dhe gjendjen e bimësisë. Ai klasifikohet në tri nivele: monitorim, paralajmërim dhe alarm.

Alarmi më i fortë në Lindjen e Evropës

Rajoni më i prekur është Evropa Lindore, ku në Kosovë, Serbi dhe Bullgari, thuajse 100% e tokave janë prekur nga thatësira, dhe më shumë se një e treta e tyre ndodhet në nivel alarmi. Në Bullgari, më shumë se 156,000 persona u prekën nga ndërprerjet e furnizimit me ujë në mes të korrikut, për shkak të mungesës së ujërave të akumuluara.

Në Hungari, pothuajse gjysma e vendit (47%) ishte në alarm për thatësirë në fillim të korrikut, një rritje e ndjeshme nga fundi i qershorit, kur kjo shifër ishte 21%.

Thatësira e rëndë në Lindjen e Mesdheut

Situata është e rënduar edhe në Lindjen e Mesdheut, sidomos në Armeni (95% e tokave të prekura) dhe në Turqi (77%), ku kombinimi me erërat e forta ka shkaktuar qindra zjarre.

Në Siri, gjysma e territorit ndodhet nën ndikimin e thatësirës, çka kërcënon prodhimin e grurit dhe vë në rrezik mbi 16 milionë njerëz me pasiguri ushqimore, sipas Kombeve të Bashkuara.

Evropa Perëndimore në një situatë të përzier

Në Britani, 18% e tokave ishin në nivel alarmi në fillim të korrikut, një rritje me mbi 6% nga fundi i qershorit. Franca është gjithashtu e prekur, me 12% të territorit në gjendje alarmi, kryesisht në pjesën perëndimore. Në total, dy të tretat e territorit francez ndodhen nën ndikimin e thatësirës.

Në kontrast, Spanja dhe Portugalia raportojnë ndikim minimal, me përqindje shumë të ulëta të tokave të prekura: 6% dhe 1% përkatësisht.