Tailanda dhe Kamboxhia riafirmojnë armëpushimin pas luftimeve më të përgjakshme në vite

Të paktën 41 persona, shumica civilë, humbën jetën dhe mbi 300,000 të tjerë u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre si pasojë e luftimeve të ashpra përgjatë kufirit mes Tajlandës dhe Kamboxhias — përplasjet më të rënda në dekada mes dy fqinjëve aziatikë. Pas ditësh përleshjesh që përfshinë përdorimin e artilerisë së rëndë, raketave dhe avionëve luftarakë, të dyja palët riafirmuan një armëpushim të brishtë të mërkurën, ndërsa përfaqësuesit e tyre u takuan në Shangai me ndërmjetësimin e Kinës.

Armëpushimi, i arritur në Malajzi të hënën, u përshkrua si “i menjëhershëm dhe pa kushte”, por u vu në provë të martën, kur ushtria tajlandeze akuzoi Kamboxhian për sulme të njëanshme, akuza që Phnom Penhi i mohoi kategorikisht. Përplasjet zgjatën deri të mërkurën në mëngjes, megjithëse më vonë palët dhanë shenja përmirësimi dhe besimi të ndërsjellë.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Kinës, të dyja vendet “i përsëritën Kinës angazhimin e tyre ndaj konsensusit për armëpushim”, ndërsa diplomacia rajonale u intensifikua në përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit. Rreth 260,000 të zhvendosur kanë nisur kthimin e kujdesshëm në shtëpitë e tyre, ndonëse mijëra të tjerë mbeten në strehimore në pasiguri.

Kriza mes dy vendeve vjen në një moment kritik ekonomik, pak ditë para se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të shpallë tarifa të reja tregtare me ndikim të madh mbi Tajlandën dhe Kamboxhian. Me një tarifë 36% që pritet të hyjë në fuqi të premten, Trump kishte paralajmëruar ndaljen e marrëveshjeve tregtare nëse armiqësitë vazhdonin. Kjo u dha të dyja palëve një shtysë shtesë për të ndalur përplasjet, me kryeministrin kamboxhian Hun Manet dhe homologun e tij tajlandez që pranuan se Trump i kishte telefonuar për t’i përgëzuar për paqen dhe për të premtuar mbështetje amerikane në procesin e monitorimit të armëpushimit.

Luftimet u ndezën fillimisht në maj, pas vrasjes së një ushtari kamboxhian dhe një shpërthimi të një mine tokësore që plagosi pesë ushtarë tajlandezë. Përplasjet u përshkallëzuan me tërheqje diplomatike, dëbime ambasadorësh dhe mbyllje kufijsh. Përleshje me armë zjarri, artileri dhe sulme ajrore përfshinë disa nga zonat më të kontestuara të kufirit mbi 800 kilometra.

Takimi i radhës mes dy palëve do të mbahet më 4 gusht në Kamboxhia, ku pritet të diskutohet një mekanizëm i përhershëm paqeje dhe bashkëpunimi ushtarak ndërkufitar.