127 miliardë euro për mbrojtjen/ 18 vende të BE aplikojnë në programin ‘SAFE’

Tetëmbëdhjetë shtete anëtare të Bashkimit Evropian, kanë paraqitur kërkesë për t’u përfshirë në programet e mekanizmit të ri të sigurisë dhe mbrojtjes ‘SAFE’ me një vlerë të përbashkët prej të paktën 127 miliardë eurosh. Lajmi u bë i ditur ditën e sotme nga Komisioni Evropian.

Sipas njoftimit zyrtar, kërkesa për përfitim nga ky program kanë dorëzuar: Greqia, Qipro, Belgjika, Bullgaria, Çekia, Estonia, Spanja, Franca, Kroacia, Italia, Letonia, Lituania, Hungaria, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia dhe Finlanda. Programi i lejon këto shtete të aksesojnë deri në 150 miliardë euro në formë huash për të rritur shpenzimet e tyre kombëtare në fushën e mbrojtjes.

Shtetet anëtare kanë afat deri ditën e nesërme për të shprehur zyrtarisht interesin dhe për të paraqitur aplikimet fillestare.

Pas kësaj, ato do të kenë edhe katër muaj në dispozicion për të detajuar projektet që do të propozojnë, përfshirë partnerët, buxhetin dhe fushat përkatëse të investimit. Aplikimet përfundimtare duhet të dorëzohen deri më 30 nëntor 2025.

Komisioni Evropian thekson se deklarimet në kohë të interesit do ta ndihmojnë atë të vlerësojë më mirë kërkesën dhe të përgatitet për sigurimin e fondeve përmes tregjeve të kapitalit. Syri.net-CNN.gr