Kampionia olimpike gjendet e vdekur në malet e Pakistanit
Një lajm i rëndë ka tronditur botën e sportit dhe alpinizmit, ish-kampionia olimpike gjermane në biatlon, Laura Dahlmeier, është ndarë nga jeta pas një aksidenti tragjik në malet e Pakistanit.
31-vjeçarja, dy herë fituese e medaljes së artë në Lojërat Olimpike Dimërore, ndodhej me pushime në Pakistan ku kishte shkuar për alpinizëm së bashku me shoqen e saj të ngjitjeve.
Aksidenti ndodhi mesditën e së hënës, në majën Laila në lartësinë prej rreth 5.700 metrash, në rajonin verior të Gilgit-Baltistanit, bëri të ditur Klubi Alpin i Pakistanit të martën.
Sipas autoriteteve, Dahlmeier u godit nga një rënie e papritur shkëmbi gjatë ngjitjes në luginën Hushe. Fatkeqësisht, ndihma ajrore nuk arriti të mbërrinte në kohë për shkak të motit të keq. Shoqja e saj shpëtoi pa lëndime dhe qëndroi në vendngjarje.
Përfaqësuesit e sportistes konfirmuan se ajo ka ndërruar jetë në vend, dhe shtuan se vetë Dahlmeier kishte lënë një amanet të qartë: nëse do të ndodhte një aksident fatal, askush nuk duhet të rrezikojë jetën për ta rikuperuar trupin e saj. “Ishte dëshira e saj që, në një rast të tillë, të mbetej në mal. Kjo dëshirë respektohet edhe nga familja e saj”, thuhet në deklaratë.
Laura Dahlmeier u tërhoq nga sporti profesionist në vitin 2019, në moshën 25-vjeçare, vetëm një vit pasi hyri në histori si atletja e parë që fitoi medalje të arta si në skitë nordike, ashtu edhe në qitje në të njëjtët Lojëra Olimpike.
Lajmi për vdekjen e saj u prit me dhimbje të thellë nga Komiteti Olimpik Gjerman, i cili në një reagim në rrjetin X tha: “Laura ishte më shumë sesa një kampione olimpike, ishte një njeri me zemër, respekt dhe vizion.”
Dahlmeier, e lindur në qytetin bavarez Garmisch-Partenkirchen, u nderua edhe nga kryeministri i Bavarisë, Markus Söder. “Laura përfaqësonte Bavarinë në kuptimin më të mirë të fjalës: ambicioze dhe e suksesshme, por gjithmonë e përulur dhe e lidhur me rrënjët e saj,” tha ai.
Edhe pas përfundimit të karrierës së saj sportive, ajo vazhdoi të kontribuonte në fushën e sportit si eksperte në sportet dimërore, anëtare e ekipit të shpëtimit malor dhe si guidë skish.
German Olympic biathlon champion Laura Dahlmeier has tragically passed away in a climbing accident in Pakistan's Karakoram Mountains, her management team told the German Press Agency (dpa).
The 31-year-old was struck by falling rocks on Monday at Laila Peak, at an altitude of… pic.twitter.com/l3yVXHWnOp