Meta akuzohet për 'imponim' të inteligjencës artificiale në WhatsApp

Autoriteti italian i mbikëqyrjes kundër monopolit ka hapur një hetim ndaj gjigantit të teknologjisë Meta, për shkelje të mundshme të ligjeve të konkurrencës së Bashkimit Evropian. Sipas Autorità Garante della Concorrenza e del Mercato (AGCM), Meta po abuzon me pozicionin e saj dominues në treg duke integruar në mënyrë të detyruar mjetin e saj të inteligjencës artificiale në aplikacionin WhatsApp.

Sipas deklaratës zyrtare të AGCM, që nga marsi i vitit 2025, Meta ka parainstaluar shërbimin e saj të inteligjencës artificiale në aplikacionin e mesazheve WhatsApp, pa ofruar përdoruesve mundësi të qarta për ta refuzuar atë. Autoriteti vlerëson se kjo lëvizje mund të përbëjë një mënyrë të imponuar të përdorimit të chatbot-it të Metës, duke e shtyrë konsumatorin drejt shërbimeve të saj IA në mënyrë të pabarabartë dhe në dëm të konkurrencës së lirë.

Zyrtarë të autoritetit antitrust italian kanë inspektuar zyrat e Metës në Itali të martën, si pjesë e hetimit që synon të verifikojë nëse Meta ka shkelur rregullat e tregut për të favorizuar shërbimet e saj të inteligjencës artificiale. Kritikat ndaj praktikave të kompanisë janë shtrirë edhe përtej Italisë, me autoritetin irlandez të mbrojtjes së të dhënave që po shqyrton në mënyrë të pavarur përdorimin e të dhënave të përdoruesve nga Meta AI.

Meta, e cila zotëron Facebook, Instagram, WhatsApp dhe Messenger, lansoi modelet e saj të inteligjencës artificiale në Evropë në fillim të këtij viti, pas një vonese të kushtëzuar nga pasiguritë rregullatore. Megjithatë, shqetësimet mbi ndikimin e këtij integrimi kanë alarmuar edhe Komisionin Evropian, i cili në mars hapi një hetim për të vlerësuar nëse këto veprime bien nën fushëveprimin e Aktit të Shërbimeve Dixhitale (DSA).

AGCM thekson se çdo formë lidhjeje e detyruar midis platformave të komunikimit dhe shërbimeve të inteligjencës artificiale duhet të kalojë përmes garës së ndershme dhe zgjedhjes së lirë të përdoruesve, në përputhje me legjislacionin evropian për mbrojtjen e konkurrencës.