SYRI TV/ Futbolli bashkon shqiptarët në Preshevë/ Duka, premtime për projekte dhe mbështetje

Turneu i futbollit në Preshevë përmbyllet me sukses, nën kujdesin e FSHF-së. Presidenti Duka ndoqi finalet dhe takoi fëmijët, duke u emocionuar nga pjesëmarrja. Ai garanton mbështetje për infrastrukturën dhe edukimin sportiv në Luginë. Mesazhi i tij ishte: Futbolli bashkon, motivon dhe frymëzon përtej kufijve.

Turneu i futbollit në Luginën e Preshevës uli siparin, duke përmbyllur një aktivitet që kishte në qendër fëmijët, pasionin për lojën dhe forcimin e lidhjeve përtej kufijve. Nën kujdesin e veçantë të Federatës Shqiptare të Futbollit, turneu u kthye në një festë sportive, e ndjekur nga afër edhe nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Duka, në vizitën e tij të parë në këtë trevë, shprehu emocione të veçanta për praninë në Preshevë, duke vënë theksin te misioni i FSHF-së: motivimi i fëmijëve për t’u marrë me futboll dhe krijimi i hapësirave më të mira për zhvillimin e talenteve të reja.

“Për mua është kënaqësi dhe emocion që jam sot këtu. Qëllimi i FSHF-së, objektivi i saj është motivimi i fëmijëve kudo që ata jetojnë për të luajtur futboll. Ky turne është jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, ka specifikat e veta, por nuk ka asnjë qëllim politik përveç se të promovojë futbollin. Futbolli ka vetëm një gjuhë, atë sportive, të topit, të golit dhe respektin për shokët, kundërshtarin, për lojën dhe për veten.”

Pas ndarjes së medaljeve dhe kupave, kreu i futbollit shqiptar falënderoi organizatorët, stafin e FSHF-së si dhe kryetarët e komunave të Bujanocit dhe Preshevës për mbështetjen e plotë. Në qendër të diskutimeve ishin projektet afatgjata dhe përmirësimi i infrastrukturës.
Në bisedat që kemi bërë me të gjithë aktorët e futbollit në Luginë, do të krijojmë projekte të reja bashkëpunimi për të qenë sa më afër fëmijëve, talenteve dhe për ta bërë sa më të mirë jetën e tyre sportive.

Kërkesat e fëmijëve për fusha, topa dhe uniforma, morën përgjigje të menjëhershme nga Presidenti Duka, i cili premtoi angazhim të vazhdueshëm. Ai tha se bashkë me komunitetin lokal do të ndërtohen ura të reja bashkëpunimi për zhvillimin e futbollit në këtë zonë.