Tragjedi në Pakistan, ndahet nga jeta në moshën 31-vjeçare kampionia gjermane e biatlonit
Sporti ndërkombëtar është tronditur nga një ngjarje e rëndë. Kampionia gjermane e biatlonit, Laura Dahlmeier, ka humbur jetën në moshën 31-vjeçare pas një orteku të ndodhur mëngjesin e 28 korrikut në malet e Karakorumit, Pakistan. Pas dy ditësh kërkimesh intensive, autoritetet konfirmuan sot lajmin tragjik.
Dahlmeier ishte një prej sportisteve më të suksesshme në historinë e biatlonit. Ajo fitoi shtatë tituj botërorë, Kupën e Botës në vitin 2017 dhe dy medalje ari olimpike, përpara se të tërhiqej nga sporti në moshën vetëm 25-vjeçare. Suksesi i fundit i karrierës së saj erdhi në Anterselva, në garën “mass start” të sezonit 2018/19.
Lajmi i ndarjes nga jeta të Dahlmeier ka lënë në dhimbje komunitetin sportiv gjerman dhe atë ndërkombëtar, duke humbur një sportiste të jashtëzakonshme dhe një njeri që do të kujtohet për gjithçka arriti në një karrierë të shkurtër, por të ndritur.
Biatloni është një sport dimëror shumë interesant sepse kombinon dy disiplina të ndryshme: skijimin në terren të hapur (ski nordik) dhe qitjen me pushkë. Kjo e bën sportin shumë të veçantë, pasi kërkon si qëndrueshmëri fizike ashtu edhe qetësi dhe saktësi.