SYRI TV/ ‘Migjeni’ në shënjestër, dy aktorë të pushuar/ Pushteti përdor artin, eleminohen zërat kritikë

SYRI TV

Largimi i aktorëve Vladimir Doda dhe Simon Shkrelit  nga Teatri “Migjeni” pas ndërhyrjes së kryetarit të bashkisë Benet Beci është parë si një sinjal i politizimit të skenës artistike. Rasti në fjalë hedh dritë mbi  mënyrën se si pushteti po përdor artin për të eliminuar zërat kritikë dhe për të kontrolluar mendimin ndryshe.

Dy largime të bujshme nga Teatri “Migjeni” i Shkodrës, ai i aktorit  dhe regjisorit Vladimir Doda dhe kolegut të tij Simon Shkreli kanë risjellë në vëmendje akuzat se pushteti po përdor institucionet artistike për interesa politike. Rasti i Vladimir Dodës aktor me eksperiencë në skenat ndërkombëtare dhe kontribut të gjerë në zhvillimin e teatrit në Shkodër.

Doda njoftoi publikisht  shkarkimin e tij nga trupa e Teatrit “Migjeni” pas një takimi zyrtar me drejtuesit e institucionit. Ai është shprehur se është pushuar nga puna pas 6 vitesh kontribut, me arsyetimin e mungesës së efektivitetit, efikasitetit dhe cilësisë në punë. Sipas tij nuk janë mungesa e roleve, por mungesa e transparencës, profesionalizimit dhe frymës demokratike që e kanë sjellë në këtë pikë.

“Nuk kam parti mbrapa, kam bindjet e mia dhe nuk pajtohem me mënyrën se si po qeverisni dhe drejtoni këtë vend, shkruan ai në rrjetin social Facebook.

Doda përmend  gjithashtu përfshirjen e tij në protesta ndër vite përfshirë edhe rezistencën kundër shembjes së Teatrit Kombëtar duke lënë të kuptohet se ndaj tij sulmi është politik.

Në të njëjtën kohë Simon Shkreli, aktor i njohur i skenës shkodrane është përjashtuar nga trupa  pa pasur mundësinë për të marrë pjesë në audicione për shkak të kufizimeve mbi bazë moshe apo parapëlqimesh të drejtuesve. Shkreli e konsideroi largimin si pjesë të një skenari më të gjerë për të përjashtuar zërat kritikë ndaj administratës aktuale. Motivacioni i Shkrelit ishte i njëjtë me aktorin Doda.

Shkreli e ka cilësuar vendimin si një akt hakmarrjeje politike, të orkestruar nga burokratë pa lidhje me artin. Largimet vijnë pas ndryshimeve në drejtimin e teatrit, largime të cilat përkojnë me ardhjen në detyrë në krye të Bashkisë Shkodër të Benet Becit, i cili shkriu gjithë drejtorinë e teatrit. Një pjesë e mirë e komunitetit kulturor, por edhe vetë artistët flasin për një model të ri të përjashtimit të zërave kritikë dhe instalimin e një fryme të re në institucionet e artit.