SYRI TV/ Abule ‘dhuratë’ pushime luksi për Veliajn dhe Xoxën në jug të Italisë

SYRI TV

Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa kanë bërë pushime luksoze në jugun e Italisë, ku dhoma e hotelit shkonte 1100 euro nata. Sipas dosjes hetimore të Veliajt, shpenzimet janë mbuluar në cash nga biznesmeni Elman Abule, ku dyshohet se dhuratat e shtrenjta dhe pagesat cash për hotele elitare në Kapri e Sorrento, rezultojnë pjesë e një skeme të dyshuar korrupsioni dhe pastrimi parash.

Villa Mediterranea në Kapri dhe Hotel Bellevue Syrene në Sorrento, janë dy nga destinacionet më të preferuara për pushues elitarë dhe që kanë portofolin plot. Çifti i parë i Tiranës, kryebashkiaku i arrestuar Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, duket se kanë pasur dëshirë të madhe për të parë perëndimin e diellit pranveror në bregdetin jugor të Italisë. Për të plotësuar këtë dëshirë vanitoze të tyre ka menduar Elman Abule, një figurë kontroverse që prezantohet në Tiranë si biznesmen dhe që njihet për raportet e ngushta me Erion Veliaj.

Në 18 Prill 2018, Elman Abule, nga adresa e tij, ka prenotuar dy dhoma për një natë në hotelin Mediterranea, në Kapri. Njësa dhomë është regjistruar në emër të tij dhe kushtonte 426 euro, ndërsa dhoma tjetër është regjistruar në emër të Ajola Xoxës, dhe pagesa ishte 772 euro. Pagesat janë kryer cash nga Elman Abule. Pas qëndrimit një natë në Kapri, pushuesit shqiptarë kanë udhëtuar drejt Sorrentos, ku sërish Abule ka prenotuar dy dhoma për dy netë, në hotelin “Belleveu Syrene”, në datat 19 dhe 20 prill 2018.

Dhoma në emrin e Abules ka kushtuar 1116 euro, ndërsa dhoma tjetër, e regjistruar në emrin e bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës, ka kushtuar 1100 euro. Edhe kësaj radhe, pagesa është kryer cash nga Elman Abule. Këto të dhëna janë siguruar në qershor të këtij viti, pas ekspertimit që Prokuroria e Posaçme realizoi të një prej kompjuterave të sekuestruar në bizneset e Abules. Elman Abule dhe bashkëshortja e tij, Marisa Nito, tashmë janë bashkë të pandehur me Erion Veliaj dhe Ajola Xoxën, në dosjen e SPAK-ut për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.

Prokuroria e akuzon Veliajn se, duke shfrytëzuar pozicionin e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, i ka krijuar favore biznesmenit Abule. Po sipas prokurorisë, sipërmarrësi Abule, në këmbim, ka kaluar shuma të konsiderueshme, në rendin e disa qindra mijëra eurove, në llogaritë e organizatave të menaxhuara nga Ajola Xoxa, në formën e sponsorizimeve fiktive.