SYRI TV/ Godinat e rindërtimit, jashtë çdo standardi, banorët te 5 Maji: Punimet janë skandaloze

SYRI TV

Godinat e rindërtimit 27 dhe 28  në zonën e 5 majit, të dorëzuara pak ditë më parë nga Bashkia Tiranë, nuk plotësojnë as kushtet më minimale për të jetuar. Kanë qenë disa prej banorëve të cilët kanë përfituar apartamente në këto godina, ata të cilët kanë denoncuar rastin, duke u shprehur se përveç kushteve skandaloze dhe punimeve të lëna përgjysmë, edhe infrastruktura e jashtme në këto godina, lë për të dëshiruar

Banorët e godinave 27 dhe 28 të rindërtimit në zonën e 5 majit në kryeqytet, duhet të ishin futur në banesat e tyre shumë kohë më parë, por dorëzimi i hyrjeve nga ana e bashkisë u bë vetëm pak ditë më parë. Por edhe pse tërësisht jashtë afateve ligjore të dorëzimit, këto godina sërish nuk plotësojnë as kushtet më minimale për të jetuar.

Shqetësimi është ngritur nga vet banorët, të cilët shprehen se përveç infrastrukturës së jashtme, ku mungojnë rrugët, kanalizimet e ujërave të zeza apo edhe koshat e mbeturinave, edhe më shqetësuese është gjendja e apartamenteve. Punimet janë skandaloze, me disa hyrje që kanë prezencë të lartë lagështire, ndërkohë që ujë i pijshëm nuk është lidhur ende.

Në këto godina vihen re kudo kabuj elektrikë, të cilët përbëjnë rrezik për jetën e banorëve, ndërsa edhe ashensorët nuk janë në funksion. Banorët theksojnë se ata nuk kanë firmosur për të marr në dorëzim këto hyrje, por dinë vetëm se janë firmosur nga një komision

Një tjetër problematikë është edhe infrastruktura rrugore, ku sipas banorëve, në ditët me shi është e pamundur që ata të futen në banesat e tyre

Dorëzimi i godinave 27 dhe 28 në zonën e rindërtimit tek 5 maji u bë në datën 22 korrik. Kryeministri Rama apo kryetari i bashkisë, aktualisht i burgosur, Erion Veliaj kishin premtuar se lagja e re “5 Maji ” do të ishte kartolina më e bukur për qytetarët e Tiranës, ndërkohë që këto pamje tregojnë krejt të kundërtën.