SYRI TV/ Erion Veliaj shenjëstron Ramën nga qelia: Duan të më eliminojnë politikisht

SYRI TV

Erion Veliaj, pas 6 muajve izolim, për herë të parë ka nisur të flasë me gjuhë politike dhe ka shenjëstruar kryeministrin Edi Rama. Arrestimin dhe hetimin, Veliaj e cilëson persekutim për asgjësimin e tij politik, ndërsa thekson se ky është një standard që po vendoset edhe për të tjerët në të ardhmen. Por pavarësisht gjithçkaje, paralajmëron Veliaj, askush nuk mund ta ndalojë në angazhimin e tij politik në të ardhmen.

Pas 6 muajve izolim dhe shënjestrimi të prokurorit të çështjes dhe SPAK, Erion Veliaj për herë të parë nga qelia ka ndryshuar kurs duke e cilësuar arrestimin persekutim politik, dhe ka lëshuar paralajmërime edhe për kryeministrin Edi Rama. Me një gjuhë politike, Veliaj ka akuzuar drejtpërsëdrejti se arrestimi dhe hetimi ka prapavijë politike, që sipas tij është një standard për të frikësuar këdo.

‘Kush është Nesti Angoni dhe për sa politikanë me letra anonime është bërë ky vetting 20-vjeçar, si në rastin tim? A po përdoret ky hetim dhe persekutim mbi mua si një “eliminim politik”, për t’u kthyer në standard të ri për këdo që shënjestrohet?’

Ndërsa akuzohet publikisht për abuzime në projektet më të mëdha të Tiranës, në bashkëpunim me kryeministrin Edi Rama, Veliaj i ka listuar ato në formën për të treguar se nuk ka shkelje që mund ta përndjekin, apo si një mesazh edhe për vetë kryeministrin që thuajse në të gjitha këto projekte ka firmën e tij.

‘Nuk u gjet asnjë shkelje e imja për inceneratorin, Teatrin, Sheshin Skënderbej, Pazarin e Ri, Piramidën, Stadiumin, Astirin, Bulevardin, lagjet e reja në Kombinat dhe te 5 Maji’.

E në fund, kryebashkiaku Erion Veliaj ka edhe një mesazh të drejtpërdrejtë, se askush nuk do të mund ta eliminojë dot politikisht, dhe flet për tirani, shtypje e përndjekje.  

‘Ndaj, se 10 vjeç, se 20, se 30, se 40 vjeç, nuk do i ndahem kauzave ku besoj dhe pas së cilave mbahem fort. Dhe kjo e drejtësisë sociale, dhe jo e tiranisë speciale ndaj të dobtëve, do më angazhojë gjithnjë e më shumë. Do të vazhdoj të luftoj për Tiranën, qytetin që e dua kaq shumë, dhe për Shqipërinë, vendin që e dua me gjithë zemër!’

Veliaj gjithashtu flet për përdorjen politike të Drejtësisë, që sipas tij po ndikon në proces me dorëheqje gjyqtarësh nga çështja, apo me shpërndarje të informacioneve në media për ta denigruar publikisht.