Mattarella në listën e zezë të Rusisë, Meloni dënon propagandën e Kremlinit: Jemi krah popullit të Ukrainës

Nga Alba Kepi

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të vendit të saj për Ukrainën në përballjen me agresionin rus, duke theksuar se Italia vijon të qëndrojë me vendosmëri përkrah popullit ukrainas në rezistencën e tij heroike.

Meloni reagoi edhe ndaj listës së publikuar nga Ministria e Jashtme e Rusisë, e cila përfshin emra të akuzuar për “rusofobi” dhe nxitje urrejtjeje ndaj Rusisë. Ajo e cilësoi këtë si një “operacion propagandistik” me qëllim devijimin e vëmendjes nga përgjegjësitë e qarta të Moskës për luftën në Ukrainë  përgjegjësi që, sipas saj, janë njohur dhe dënuar nga komuniteti ndërkombëtar që prej fillimit të konfliktit.

Në deklaratën e saj, Meloni shprehu solidaritet të plotë me Presidentin e Republikës Sergio Mattarella, ministrat Antonio Tajani dhe Guido Crosetto, si dhe të gjithë të përfshirët në listën e Moskës, duke e cilësuar këtë provokim si të papranueshëm.

Deklarata:

Italia ka zgjedhur me vendosmëri të qëndrojë në krah të Ukrainës përballë luftës së egër të agresionit të nisur nga Rusia tashmë tre vite më parë dhe vijon të garantojë mbështetjen e saj për popullin ukrainas në rezistencën e tij heroike.

Publikimi nga Ministria e Jashtme ruse i një liste të ashtuquajtur “rusofobësh”, të akuzuar për nxitje urrejtjeje ndaj Rusisë, nuk është gjë tjetër veçse një tjetër operacion propagandistik, me qëllim që të shpërqendrojë vëmendjen nga përgjegjësitë e rënda të Moskës të njohura mirë nga komuniteti ndërkombëtar dhe të dënuara prej tij që në fillim.

Për këtë arsye, dëshiroj të shpreh solidaritetin tim ndaj Presidentit të Republikës Sergio Mattarella, ministrave Antonio Tajani dhe Guido Crosetto, si dhe ndaj të gjithë atyre që janë bërë objekt i kësaj provokimi të papranueshëm.

LEXO EDHE: 

Moska fut presidentin italian Mattarella në listën e zezë, Italia thërret ambasadorin rus