Zëvendësja e von der Leyen i kërkon presidentes më shumë veprime nga BE-ja ndaj Izraelit/ Ribera: Historia do ta gjykojë ashpër!

Politikania e dytë më e fuqishme e Komisionit Evropian, Teresa Ribera, kritikoi të mërkurën kolegët e saj për dështimin në adresimin e krizës humanitare në rritje në Gaza, duke deklaruar se ndërsa Brukseli shikon nga ana tjetër, historia do ta gjykojë ashpër.

Ribera, nënkryetarja më e lartë e Komisionit, tha se “për muaj të tërë, praktikisht çdo javë” ajo i kishte kërkuar Presidentes së Komisionit Ursula von der Leyen të merrte një qëndrim më të fortë kundër operacioneve ushtarake të Izraelit dhe ndikimit të tyre shkatërrues mbi popullsinë civile të Gazës.

Në një qortim të rrallë publik ndaj kolegëve të saj, Ribera u ankua se anëtarët e Kolegjit të Komisionerëve ishin të bllokuar në mënyrë të pashpresë për këtë çështje, duke pasqyruar përçarjet e thella që ekzistojnë midis vendeve anëtare të BE-së, kur bëhet fjalë për luftën në Gaza.

“Komisioni është një pasqyrim i ndjeshmërive kombëtare”, tha Ribera në një intervistë në rrjetin radiofonik Cadena Ser të Spanjës. “Institucionalisht nuk duhet të jetë kështu, supozohet të jetë i pavarur dhe të përfaqësojë interesat e BE-së, por e vërteta është se të gjithë vijnë me kontekstin e tyre kulturor, bindjet e tyre.”

Vetë Ribera vjen nga Spanja, një nga kritiket më të zëshme të BE-së ndaj luftës së Izraelit në Gaza, dhe shërbente si zëvendëskryeministre e vendit kur Madridi njohu shtetësinë palestineze vitin e kaluar.

Zëvendëspresidentja e Komisionit tha se refuzimi i ambasadorëve të BE-së për të mbështetur propozimin e Brukselit për të kufizuar aksesin e Izraelit në programin kryesor të kërkimit dhe zhvillimit Horizon Europe zbuloi se sa i ndarë ishte blloku për këtë çështje.

Ajo shtoi se nuk kishte “konsensus” brenda Kolegjit të Komisionerëve, në lidhje me masa më të forta si pezullim i plotë i Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael ose vendosja e sanksioneve ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Izraeli nisi ofensivën e tij ushtarake në tetor 2023 në hakmarrje për një sulm nga militantët e Hamasit që vrau më shumë se 1,000 njerëz në territorin izraelit. Autoritetet shëndetësore palestineze thanë këtë javë se më shumë se 60,000 njerëz kishin vdekur në fushatën tokësore dhe ajrore të Izraelit në Rripin e Gazës, me gati një të tretën e të vdekurve nën moshën 18 vjeç. Sipas ekspertëve globalë të sigurisë ushqimore të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, kufizimet e vendosura nga Izraeli në rrjedhën e ndihmës në rajon, kanë rezultuar në një "skenar të rastit më të keq të urisë" në rajon.

Duke krahasuar vuajtjet e civilëve në Gaza me ato të hebrenjve të burgosur nga nazistët në Geton e Varshavës gjatë Holokaustit, Ribera kritikoi BE-në për qëndrimin duarkryq ndërsa shpaloset "një nga skandalet më të këqija humanitare [në histori]", duke shtuar se "historia nuk do të bëjë sikur nuk e sheh".

«Jemi në një garë me kohën, me njerëz që vdesin nga uria», tha ajo. «Evropa duhet të reagojë dhe të konsolidojë veten si aktor politik... Dhe të mobilizojë parimet që frymëzuan ndërtimin e projektit evropian»./ Politico.