‘Zgjohet’ Veliaj, del hapur kundër Ramës: Po më eliminoni politikisht

Erion Veliaj del hapur kundër Edi Ramës.

Pas shumë muajsh në burg, ai ka publikuar një letër të hapur për mbylljen e hetimeve ndaj tij.

Në këtë letër, Veliaj deklaron se goditja e tij kishte për qëllim eliminimin politik.

“Kush është Nesti Angoni dhe për sa politikanë me letra anonime është bërë ky vetting 20-vjeçar, si në rastin tim? A po përdoret ky hetim dhe persekutim mbi mua si një “eleminim politik”, për t’u kthyer në standard të ri për këdo që shënjestrohet?” thuhet në letrën e Veliajt.

Ai ka ngritur disa pyetje për Prokurorinë e Posaçme.

PYETJET PER SPAK

1. Kush është Nesti Angoni dhe për sa politikanë me letra anonime është bërë ky vetting 20-vjeçar, si në rastin tim? A po përdoret ky hetim dhe persekutim mbi mua si një “eliminim politik”, për t’u kthyer në standard të ri për këdo që shënjestrohet?

2. Pse të gjitha gjyqtaret e zonja, të cilave u bie shorti për masën time në GJKKO, papritmas sëmuren dhe dorëhiqen? A ka koordinim prokurori-gjykatë për organizimin e këtij sulmi ndaj kryetarit të zgjedhur të bashkisë?

3. Pse nuk u hetua kurrë denigrimi mediatik nëpërmjet nxjerrjes së gjithë sekreteve hetimore në portalet pranë SPAK, ku dalloheshin qartësisht formatet dokumentare të prokurorëve, dhe jo ato që u jepen avokatëve? Kjo shkelje e rëndë e ligjit nuk mund të ndodhë pa dijeninë dhe aprovimin e SPAK.

4. A ka konflikt interesi kur njëri nga prokurorët ka shprehur haptazi një pakënaqësi për një leje ndërtimi që ka marrë nga bashkia? Në një shoqëri demokratike, a nuk duhet që çdo i pandehur të ketë të drejtën për një prokuror pa konflikt interesi?

5. Pse më ndalohen takimet me avokatët e mi ndërkombëtarë, të cilët po përgatisin çështjen time për në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, edhe pse Konventa Europiane - ku Shqipëria është palë - garanton qartë të drejtën themelore për t’u mbrojtur dhe zgjedhur lirisht përfaqësim ligjor?

6. A u hetua ndonjëherë dhuna 1-vjeçare, me molotovë e zjarr, përpara Bashkisë së Tiranës, e kryer nga individë të maskuar që, sipas raportimeve, transportoheshin nga rrethe të tjera? Kush e koordinoi dhunën që të përkonte me vetting-un tim të paligjshëm? Kush e financoi për 45 javë?

7. Nëse hetimi ka përfunduar, përse vazhdoj të mbahem në paraburgim - larg familjes sime dhe qytetit, të cilit i shërbej? A do të kishte kuptim që unë - Kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës - të arratisesha, kur kam lidhje kaq të ngushta familjare, politike dhe shoqërore në Tiranë dhe jam kthyer disa herë në Shqipëri nga jashtë vendit, duke e ditur se kam qenë objekt i këtij hetimi penal? A ka vërtet kuptim që, si Kryetar Bashkie në mandatin e tretë, të kryeja vepra të rënda penale, duke qenë në liri me kusht dhe duke e ditur se jam nën një vëzhgim dhe kontroll të paprecedentë? Unë kam pasur një të shkuar të pastër deri në këtë persekutim, dhe aktualisht gëzoj besimin dhe mbështetjen dërrmuese të shumicës së qytetarëve të Tiranës - pra, a nuk është thjesht e çuditshme të mendohet se do të kryeja vepra të tjera penale? Në fakt, kur pata mundësinë t’u shërbeja qytetarëve të Tiranës, qyteti u transformua rrënjësisht.