A e parashikoi ‘Baba Vanga e re’ tërmetin e fuqishëm dhe cunamin në Japoni?

Një manga japoneze duket se ka bërë edhe një tjetër parashikim tronditësisht të saktë, pasi një tërmet me magnitudë 8.8 shkaktoi alarme cunami në të gjithë Oqeanin Paqësor.

Rreth dy milionë persona janë evakuuar, mes frikës se valët mund të arrijnë deri në 3 metra lartësi, pasi mbi 900 lëkundje sizmike kanë goditur një zinxhir ishujsh pranë Japonisë. Plazhet janë zbrazur dhe banorët janë larguar drejt zonave më të larta, shumë prej tyre duke kërkuar strehë në tarracat e godinave, ndërsa valët tashmë janë parë të afrohen në ishullin verior të Hokkaidos.

Por ajo që ka tronditur opinionin është fakti që tërmetet dhe dallgët e fuqishme uji ishin parashikuar dekada më parë nga Ryo Tatsuki, që nga mediat quhet “Baba Vanga e Japonisë”. Ajo kishte shkruar për 15 ëndrra profetike në vitet 1990, shumë prej të cilave, sipas ndjekësve të saj, janë bërë realitet.

Një nga parashikimet më të bujshme të saj lidhej pikërisht me 5 korrikun 2025, datë në të cilën ajo parashikonte një “fatkeqësi të madhe”. Edhe pse tërmeti ndodhi disa javë më vonë, lidhja me parashikimin ka ndezur spekulime në rrjet.

Parashikimet u botuan në vitin 1999 në mangën Watashi ga Mita Mirai, e njohur në anglisht si The Future I Saw (E ardhmja që pashë). Libri është bërë i famshëm për parashikime të frikshme, mes tyre edhe shpërthimi i pandemisë së koronavirusit dhe tërmeti e cunami i marsit 2011 në Japoni që mori gati 20 mijë jetë.

Sipas ditarit të saj, Tatsuki ka shkruar se kishte parë në ëndërr “hapjen e një çarje nën det midis Japonisë dhe Filipineve, që do të sillte valë trefish më të mëdha se ato të tërmetit të Tōhokusë në 2011”.

Megjithatë, në autobiografinë e saj më të fundit, The Testament of an Angel (Testamenti i një engjëlli), Tatsuki është distancuar nga këto parashikime, duke theksuar se botimi i tyre ishte bërë më shumë me dëshirën e botuesit sesa të sajën.“Nuk isha e lumtur që u publikuan në atë formë”, ka deklaruar ajo për të përditshmen The Sankei Shimbun.