Barcelona firmos me 18-vjeçarin kroat, beson se do të jetë ‘Modric-i i ri’

Klubi i Barcelonës ka zyrtarizuar transferimin e Lovro Chelfi, një talent i ri kroat 18-vjeçar, i cili ka shkëlqyer me NK Kustosija dhe ka qenë në shënjestrën e skuadrave të mëdha të Premier League.

Chelfi, i cili ka dalë nga akademia e Dinamos së Zagrebit, si edhe ‘ylli’ i madh Luka Modric, është një mesfushor kreativ që do të forcojë ekipin Juvenil A të Barcelonës dhe mund të përfshihet edhe te Barcelona Atlètic, që drejtohet nga Juliano Belletti në Segunda RFEF.

Barcelona ka paguar rreth 300,000 euro për 50% të të drejtave federative të Chelfi-t. Në rast se klubi e blen lojtarin në pronësi të plotë, shuma totale mund të arrijë deri në 2 milionë euro.

Sipas ‘Bein Sports’, kontrata e Chelfi-t do të jetë deri në vitin 2027, me një klauzolë lirimi mbi 20 milionë euro, duke treguar besimin e Barcelonës në potencialin e tij të madh.

Për më tepër, Chelfi ndan të njëjtin agjent me Cardoso Varela-n, një talent portugez 16-vjeçar i Dinamos së Zagrebit, për të cilin Barcelona gjithashtu po negocion.