Chiellini për Juventusin e ri: Po ndërtojmë bazën për të fituar. Tudor? Vlera të rëndësishme
Giorgio Chiellini, ish-mbrojtës dhe sot Drejtor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Juventus-it, ka dhënë një intervistë për Tuttosport, gjatë së cilës ka folur për disa tema që lidhen me klubin bardhezi. Ai e nisi duke shpjeguar rolin e tij drejtues:
"Unë u bashkova me klubin vitin e kaluar dhe ndoqa pjesën institucionale, duke zbuluar një botë të re që shkon përtej fushës," – tha ai – "si Liga, Federata dhe institucionet ndërkombëtare si ECA dhe UEFA, skena që besoj se është e drejtë t’i njohësh për të pasur një përgatitje më të plotë."
"Pastaj," – vazhdoi Chiellini – "ka dinamika të brendshme, shumë njerëz që i njoh prej vitesh, por një gjë është t’i njohësh dhe një gjë tjetër është të punosh me ta çdo ditë. Këtë e nisa vitin e kaluar dhe do të vazhdoj ta bëj edhe këtë vit, duke hyrë në një pjesë të Juventusit që është pak e njohur, por që është motori i atij Juventusi tjetër. Është një proces që nuk më pëlqen ta nxitoj ose ta kaloj, por mbetem gjithmonë në dispozicion të të gjithëve. Siç ka specifikuar Damien, nuk marr pjesë në zgjedhjet e merkatos, por nuk ka një person të vetëm në krye të Juventusit; ne jemi një grup që punon dhe bashkëpunon për të arritur maksimumin."
Sa i përket projektit që po ndërmerr Juventusi, ai shpjegon:
"Po përpiqemi të ndërtojmë një bazë, sepse pa një bazë të fortë nuk mund të kthehesh të fitosh. Ideja është t’i japim qëndrueshmëri, në mënyrë që ky grup të mund të rritet dhe të marrë përgjegjësinë dhe nderin e çuarjes përpara të një cikli të ri fitues."
Më pas, për Igor Tudor:
"Igor ka treguar se çfarë përfaqëson për të Juve dhe ua ka përcjellë këtë lojtarëve. Por Igor nuk është vetëm ‘Juve’; vlerat që ai ka përcjellë muajt e fundit janë të prekshme. Vendi i katërt dhe një Botëror i mirë për klube, mendoj se flasin në favor të tij. Ndeshja me City-n ishte një hap fals nga lodhja, por me Real Madridin kemi luajtur me nder dhe, ndoshta, me pak fat… Igor ka sjellë një kulturë të bukur pune, ka dëshirë për të bërë gjëra. Ka një atmosferë pozitive. Nga këtu e deri te fitorja, siç dihet, ka shumë hapa për të bërë dhe shumë pengesa për të kaluar, por niset nga vlera të rëndësishme."