Refuzoi përfaqësuesen, Donovan ‘shkund’ Pulisic-in për zgjedhjen që ndezi polemika

Landon Donovan, një nga figurat më emblematike të futbollit amerikan, i lindur në vitin 1982 dhe i njohur kryesisht për periudhën e artë me Los Angeles Galaxy, nuk e ka kursyer kritikën ndaj Christian Pulisic.

Vendimi i 'yllit' të Milanit për të mos marrë pjesë në “Gold Cup” me Kombëtaren e SHBA-së, me arsyetimin se kishte nevojë për pushim pas një sezoni të gjatë, nuk është pritur mirë nga ish-kapiteni legjendar. Në një intervistë për “The Cooligans”, Donovan është shprehur qartë:

“Nuk po e kritikoj që mori pushim, ka luajtur shumë ndeshje kohët e fundit. Problemi është momenti kur ai vendosi ta bënte këtë. Personalisht, unë nuk do ta kisha bërë. Nuk jam dakord me këtë zgjedhje. Nëse do të kishte ndonjë arsye më të madhe si probleme personale apo të shëndetit mendor, do ta kuptoja. Por në këtë rast thjesht i dha përparësi klubit.”

Kjo nuk është hera e parë që Pulisic përballet me kritika për prioritetet e tij. Edhe Mauricio Pochettino, gjatë kohës që e drejtonte, e kishte vënë në shënjestër:

“Thoni se është lojtari ynë më i mirë? Po, është i mirë, por duhet ta tregojë këtë. Nëse do të luajë apo të marrë vendime që ndikojnë grupin, atëherë duhet të justifikojë statusin që i jepet. Unë jam trajneri dhe vendimet i marr unë, jo ai.”

Ky debat ka hapur një tjetër kapitull mbi balancën mes klubit dhe kombëtares. Por një gjë është e qartë: kur një legjendë si Donovan flet, jehona është e madhe.