Gazeta zvicerane: Parada luksoze e makinave në një dasmë në Kosovë

Gazeta zvicerane Blick ka raportuar për një ngjarje të pazakontë dhe spektakolare që ka ndodhur në Kosovë: një dasmë luksoze e shoqëruar me një autokolonë të gjatë makinash sportive, shumica prej tyre me targa zvicerane.

‘Flamuri shqiptar me shqiponjën e tij dykrenare shkëlqen i kuq në kapotat e tyre. Dhjetëra BMW, Ferrari dhe Lamborghini me fuqi të lartë parakalojnë nëpër një qytet në Kosovë’, shkruan Blick, duke përshkruar skenën që u filmua nga një ballkon dhe u publikua në rrjetin TikTok nga përdoruesi ‘leaard9’.

Në videon që ka bërë xhiron e rrjeteve sociale, automjetet luksoze lëvizin në kortezh nën tingujt e një kënge festive. ‘Ja si e merr nusen’, shkruhet në mbishkrimin e postimit. Blick raporton se vetë përdoruesi i TikTok-ut ka konfirmuar se bëhej fjalë për dasmën e kushëririt të tij.

‘Në një parking përpara një vile të madhe, makinat kryesisht luksoze po filmohen nga afër. Disa njerëz i admirojnë makinat dhe kapin momentin e jashtëzakonshëm me telefonat e tyre celularë’, vijon përshkrimi i Blick.

Gazeta zvicerane thekson se autori i postimit shfaqet në rrjet si një tifoz i pasionuar i makinave, veçanërisht i markës BMW, të cilën e prezanton rregullisht në përmbajtjet e tij. ‘Sa më shumë kuaj fuqi, aq më mirë, duket të jetë motoja e tij’, shkruan Blick.

Komentet në rrjetet sociale janë kryesisht pozitive dhe përplot entuziazëm. ‘Nëse burri im dhe familja e tij nuk më marrin kështu, nuk e dua’, citohet një koment nga një përdoruese. Një tjetër shton: ‘Lamborghini, Ferrari dhe targa zvicerane! Kështu e bëjmë ne.’

Megjithatë, Blick thekson se nuk mungojnë as komentet kritike, që e shohin këtë shfaqje si ekzagjerim. Një koment ironik i cituar nga gazeta thotë: ‘Ata mund të pinë birrë zvicerane dhe të kërkojnë një nuse.’

Raporti i Blick e vendos këtë episod në një kontekst më të gjerë, duke kujtuar se kohët e fundit një shofer zviceran me targa Thurgau shkaktoi polemika në Kosovë, pasi u filmua duke bërë një manovër të rrezikshme parakalimi mbi trotuar.