Bregu Perëndimor/ Vritet aktivisti palestinez që punoi për dokumentarin fitues në 'OSCAR'

Aktivisti palestinez Auda Muhammad Hathalin, i njohur për kontributin e tij në dokumentarin e vlerësuar me çmim Oscar ‘No Other Land’, u vra nga të shtënat e një koloni izraelit në Bregun Perëndimor të pushtuar, sipas raportimeve të gazetarëve lokalë dhe Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

Hathalin kishte luajtur një rol të rëndësishëm në realizimin e dokumentarit, i cili dokumenton sulmet e kolonëve ekstremistë izraelitë dhe ushtrisë kundër komunitetit palestinez të Masafer Yatta në Bregun Perëndimor. Aktivisti u qëllua me armë në fshatin Um al-Khair, pjesë e të njëjtit rajon.

Policia izraelite njoftoi se forcat e saj mbërritën në vendin e ngjarjes dhe arrestuan një qytetar izraelit, i cili më pas u dërgua për marrje në pyetje.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite pretendoi se ‘terroristë hodhën gurë ndaj qytetarëve izraelitë pranë vendbanimit Karmel’, afër Um al-Khairit.

Lajmi për incidentin u bë fillimisht i njohur nga gazetari dhe regjisori izraelit i dokumentarit No Other Land, Yuval Abraham, i cili bëri të ditur se Hathalin ‘u qëllua në pjesën e sipërme të trupit’ dhe ndodhej në gjendje kritike.

Më vonë, Ministria palestineze e Shëndetësisë konfirmoi se ai kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Përshkallëzimi i dhunës në Bregun Perëndimor ka qenë i vazhdueshëm që prej sulmeve të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor 2023. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, që nga ajo kohë janë vrarë të paktën 964 palestinezë, si nga forcat izraelite, ashtu edhe nga kolonët izraelitë.

Kolonët kanë ndikim të konsiderueshëm në politikën izraelite dhe, në shumicën e rasteve kur arrestohen për sulme të dhunshme ndaj palestinezëve, nuk përballen me akuza dhe lihen të lirë.

Por deputeti izraelit Ofer Kasif kërkoi hapjen e një hetimi urgjent për vrasjen e Hathalinit.

Ngjarja ndodhi në mes të ditës, para kamerave, pa asnjë frikë nga ndonjë ndëshkim, dëshmi e paralizës së autoriteteve ligjzbatuese dhe ndjenjës së plotë të pandëshkueshmërisë që gëzojnë kolonët e dhunshëm,” shkroi Kasif në një letër drejtuar prokurorit të përgjithshëm të Izraelit. Syri.net-Kathimerini