Prokurori i Përgjithshëm kundër draftit të ri të Kodit Penal: Nismë e nxituar, me pasoja të rënda për sistemin e drejtësisë
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka reaguar me tone kritike ndaj draftit për një Kod të ri Penal, , duke e cilësuar atë si një nismë të nxituar dhe të rrezikshme për funksionimin e drejtësisë në vend.
Në një deklaratë të gjatë dhe të argumentuar, Çela denoncon mungesën e një procesi të gjerë dhe gjithëpërfshirës konsultimi publik përpara se një dokument i tillë me rëndësi thelbësore ligjore të hidhej për diskutim institucional.
“Para se të diskutohej mbi draftin e prezantuar, do të kishte qenë e nevojshme që ky diskutim të ishte paraprirë nga një reflektim mbarëshoqëror mbi nevojën e pasjes së një kodi të ri,” u shpreh ai, duke theksuar se një ndërhyrje kaq madhore nuk mund të jetë produkt i një procesi të mbyllur dhe të përshpejtuar. Sipas tij, ndryshimi i një ligji kaq themelor, që prek drejtpërdrejt jetën e çdo qytetari, duhet të jetë rezultat i një domosdoshmërie historike dhe jo thjesht një veprim i imponuar institucionalisht.
“Mungesa e këtij procesi përbën një gabim fatal strukturor… në vend se të ishte produkt i një rrjedhe të natyrshme institucionale dhe shoqërore, në fakt nuk përfaqëson më shumë se një veprim të nxituar,” tha Çela, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi legjitimitetin dhe efektivitetin e nismës.
Në fokus të shqetësimeve të Prokurorit të Përgjithshëm është edhe përmbajtja teknike e draftit. Ai paralajmëron se propozimi aktual krijon “konfuzion” në interpretimin dhe zbatimin e ligjit, duke rrezikuar që normat e njëjta të interpretohen në mënyrë të ndryshme nga gjyqtarë dhe prokurorë të ndryshëm.
“Ai do të sillte shumë konfuzion tek magjistratët në aplikimin e normave dhe krijon premisat për interpretime tërësisht të ndryshme të tyre në raste të ngjashme,” thuhet në reagimin zyrtar.
Çela përmend gjithashtu tendencën e draftit për të përfshirë në dispozitat ligjore çdo interpretim të mundshëm, gjë që sipas tij dëmton fleksibilitetin profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Tendenca për të paravendosur në dispozita çdo interpretim të mundshëm… përkeqëson cilësinë e zbatimit të saj dhe bllokon zgjidhjen e problemeve,” paralajmëron ai.
Në deklaratën e tij, Prokurori i Përgjithshëm shpreh shqetësim të thellë edhe për frymën e përgjithshme që mbart drafti, të cilën e konsideron si tepër represive. Ai thekson se ka një përpjekje të pajustifikuar për të zgjeruar rrethin e veprimeve që trajtohen si krime dhe ndëshkohen me burg, duke rritur rrezikun e kriminalizimit të panevojshëm të qytetarëve.
“Fryma e përgjithshme në draft tregon një tendencë represive që rrit potencialin e kriminalizimit të individit në shoqëri,” paralajmëroi Çela, duke shtuar se kjo qasje bie ndesh me parimin e sigurisë juridike dhe humanizmit. Ai hodhi poshtë idenë se ashpërsimi i dënimeve sjell më shumë drejtësi: “Nuk mendoj se ashpërsimi i dënimeve me burgim është zgjidhja e vetme dhe më e mirë.”
Për më tepër, Çela thekson se çdo ndryshim në Kodin Penal duhet të jetë i koordinuar me ndryshimet përkatëse në Kodin e Procedurës Penale, përndryshe do të krijohej një shkëputje e rrezikshme që do të kishte pasoja të mëdha në praktikën gjyqësore. Ai vëren me shqetësim se reforma e propozuar vjen në një moment të papërshtatshëm, kur sistemi i drejtësisë është tashmë i mbingarkuar dhe vuan nga mungesa e burimeve njerëzore.
“Ardhja e draftit në këtë moment mjaft të vështirë për drejtësinë… nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të thellonte shumëfish kaosin në hetim dhe proceset gjyqësore,” tha ai.
Në përmbyllje të deklaratës, Prokurori i Përgjithshëm thekson se më emergjente sesa hartimi i një Kodi të ri Penal është ndërhyrja në Kodin e Procedurës Penale për të lehtësuar proceset gjyqësore nga burokracitë e panevojshme që sipas tij po e pengojnë në mënyrë serioze funksionimin efikas të drejtësisë.
“Sot vendi ka nevojë urgjente për ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale për të lehtësuar proceset nga burokracitë e panevojshme,” deklaroi Çela në mbyllje të reagimit të tij.
Kujtojmë se Çela mungoi në prezantimin zyrtar të draftit disa ditë më parë, mungesë që u interpretua gjerësisht si një sinjal i hapur kundërshtimi ndaj këtij propozimi ligjor.
Përpara se të diskutohej mbi draftin e prezantuar do të kishte qenë e nevojshme që ky diskutim të ishte paraprirë nga një reflektim mbarëshoqëror mbi nevojën e pasjes së një kodi të ri. Kodi në fuqi është miratuar në vitin 1995 dhe ka pësuar ndërhyrje të shumta për t’ja përshtatur nevojave të ndryshme që ka pasur vendi, ndaj nuk mund të thuhet se ai nuk është i përshtatshëm për kohën apo ka vështirësi serioze në zbatimin e tij.
Mungesa e një procesi paraprak në drejtim të identifikimit të problemeve të supozuara pakapërcyeshme me kodin në fuqi dhe që shtronin nevojën për të ndryshuar tërësisht një ligj thelbësisht të rëndësishëm në jetën e vendit, i cili prek jetën e gjithë qytetarëve, natyrshëm që nuk i shërben gjetjes së një konsensusi me bazë të gjerë.
Në vitin 1995, për shkak të një konteksti të caktuar historik, ishte mëse e qartë nevoja për t’u shkëputur nga një konceptim autoritar i kodit të vjetër penal drejt një kodi të përshkuar tërësisht nga një frymë demokratike liberale, i cili duhej të përfaqësonte vlerat e shoqërisë që synonim të ndërtonim. Kjo do të duhej të kishte qenë pikënisja edhe për procesin e draftimit të një kodi të ri, si një nevojë reale për shkak të evoluimit të vlerave shoqërore dhe përshtatjes me ndryshimet e vrullshme në nivel global në shumë aspekte, shpesh herë edhe mjaft delikate e për të cilat nuk është e lehtë të gjendet konsensusi. Ky proces do të kishte shtruar bazamentin e duhur filozofik moralo-juridik mbi të cilën të ndërtohej struktura e një kodi të ri. Mungesa e këtij procesi përbën një gabim fatal strukturor në ngritjen e kësaj ngrehine, që në vend se të ishte produkt i një rrjedhe të natyrshme institucionale dhe shoqërore si domosdoshmëri historike, në fakt nuk përfaqëson më shumë se një veprim të nxituar që rrezikon të minojë në mënyrë të pariparueshme mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në vend.
Nga ana tjetër, nisur nga mënyra se si operohet për miratimin e një kodi, për shkak të volumit dhe kompleksitetit të jashtëzakonshëm, procesi i konsultimit publik dhe ai parlamentar më pas, ndikojnë pak ose aspak në thelbin e tij, çka e shndërron procesin e debatit publik në formal dhe të padobishëm, pasi nuk do të lejonte një ndërhyrje sistematike në tërësinë e draftit. Nisur edhe nga produkti i sjellë për diskutim, unë vlerësoj se ai do të sillte shumë konfuzion tek magjistratët në aplikimin e normave dhe krijon premisat për interpretime tërësisht të ndryshme të tyre në raste të ngjashme. Për më tepër, teknika e përdorur për ndërtimin e dispozitave, e bën të pamundur përmirësimin e tyre përmes procesit të konsultimit publik. Tendenca për të paravendosur në dispozita çdo interpretim të mundshëm të normës ligjore përkeqëson cilësinë e zbatimit të saj dhe bllokon zgjidhjen e problemeve të shumta të pamundura të parashikohen të cilat shfaqen për zgjidhje tek ata që zbatojnë ligjin.
Gjithashtu, fryma e përgjithshme në draft për të zgjeruar rrethin e veprimeve që kategorizohen si të rrezikshme në një masë të tillë sa të klasifikohen si vepra penale e të dënohen me burgim, tregon një tendencë represive që rrit potencialin e kriminalizimit të individit në shoqëri e që sjell pasoja të rëndësishme në jetën e qytetarëve. Nga ana tjetër, vihen re rregullime të caktuara në pjesën e përgjithshme të draftit që rrezikojnë ta kthejnë sjelljen e kundërligjshme të individit në një moment të caktuar në kohë në potencialisht të dënueshme përgjatë gjithë jetës, duke i shkuar ndesh parimeve të sigurisë juridike dhe humanizmit. Janë pikërisht këto disa nga parimet që do të duhej të ishin qartësuar që në nisje të punës për draftimin, si produkt i atij reflektimi mbarëshoqëror të munguar, por thelbësisht të domosdoshëm, për të ndërmarrë ose jo këtë iniciativë.
Përtej sa më sipër, nisur edhe nga çfarë diskutohet këto ditë në media mbi draftin, nuk mendoj se ashpërsimi i dënimeve me burgim është zgjidhja e vetme dhe më e mirë për morinë e problemeve që kalon vendi, në një kohë që kemi një nga kodet me dënime nga më të ashpra në nivel evropian. Këtë qëndrim ne e kemi mbajtur institucionalisht edhe në të gjitha proceset ligjbërëse kur na është kërkuar opinion ligjor. Po ashtu duhet kuptuar që rregullimet në ligjin penal ndikojnë drejtpërdrejtë në aplikimin e normave procedurale dhe harmonizimi i tyre nuk mund të bëhet pa u paraprirë nga një qasje vizionare për ku duam të shkojmë.
Eksperienca ka treguar se procesi i ligjbërjes në vend, të paktën sa i përket sistemit të drejtësisë dhe sidomos kuadrit ligjor penal, është difektoz dhe shpesh herë ndikohet nga nevojat dhe emocionet e çastit, duke mos sjellë efektet e dëshiruara. Për shkak të nivelit të përmasave të pasojave për dekada të tëra kur bëhet fjale për një kod, nuk duhet të lejohet që ky gabim të përsëritej për një ligj kaq të rëndësishëm, aq më tepër për momentet në të cilat po kalon sistemi i drejtësisë në vend, ku debate të tilla do të mund të ndikoheshin thellësisht nga qasje aspak objektive, përtej logjikës së ftohtë juridike që kërkon një kod penal.
Ardhja e draftit në këtë moment mjaft të vështirë për drejtësinë, kur sistemi ende vuan nga mungesat masive në organika dhe mbingarkesa e jashtëzakonshme e dosjeve, nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të thellonte shumëfish kaosin në hetim dhe proceset gjyqësore, për shkak të konfuzionit të paevitueshëm që do të sillte zbatimi i normave të reja penale. Kjo mund të vihet re lehtësisht edhe në mungesën e një kontributi real të magjistratëve në dhënien e opinioneve mbi draftin që nga viti 2023, pikërisht për shkak të ngarkesës së papërballueshme në punë që nuk i lejon të përfshihen cilësisht në një proces kaq delikat dhe të rëndësishëm.
Më tepër se për një kod të ri penal, sot vendi ka nevojë urgjente për ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale, për të korrigjuar gjërat që po shkojnë keq në funksionimin e tij dhe për të lehtësuar proceset nga burokracitë e panevojshme, që po ndikojnë në zvarritjen e hetimevedhe gjykimeve.