Ekipi i negociatorëve të Hamasit niset drejt Turqisë pas dështimit të bisedimeve për armëpushim

Ekipi negociator i Hamasit është larguar sot nga Doha me drejt destinacion Turqisë, ku pritet të zhvillojë bisedime për ‘zhvillimet e fundit’ pas ngecjes së dialogut me Izraelin për një armëpushim në Rripin e Gazës.

Sipas një burimi nga lëvizja palestineze, një delegacion i nivelit të lartë i Hamasit, i kryesuar nga Mohamed Darëish, drejtues i Zyrës Politike të grupit, dhe negociatori kryesor Khalil al-Hayya, ka nisur udhëtimin drejt Stambollit.

“Delegacioni do të zhvillojë disa takime me zyrtarë turq për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit të procesit negociator, i cili dështoi javën e kaluar,” theksoi burimi për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP).

Bisedimet indirekte mes përfaqësuesve të Izraelit dhe Hamasit, të zhvilluara për dy javë me ndërmjetësimin ndërkombëtar, kishin si qëllim një armëpushim dhe lirimin e pengjeve izraelite. Por të premten, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ‘Hamas nuk dëshiron paqen’ dhe ‘po kërkon vdekjen’.

Një ditë më parë, i dërguari special amerikan për Lindjen e Mesme kishte konfirmuar dështimin e bisedimeve dhe kishte vënë në pikëpyetje ‘vullnetin e mirë’ të Hamasit.

Nga ana tjetër, Bassem Naim, anëtar i Zyrës Politike të Hamasit, tha për AFP se diskutimet e fundit kishin të bënin me tërheqjen e ushtrisë izraelite nga Rripi i Gazës. Disa përfaqësues të Hamasit u shprehën të habitur nga komentet e SHBA-së, pasi, sipas tyre, negociatat kishin shënuar përparim.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, hodhi poshtë sot thirrjet ndërkombëtare për një armëpushim, duke deklaruar se ndalimi i luftës pa rrëzuar Hamasin nga pushteti dhe pa liruar pengjet do të ishte një ‘tragjedi’. Syri.net-iefimerida