Kryemadhi: Akuzat për fshehje pasurie janë të pabazuara, SPAK s’ka siguruar as provat nga SHBA

Në një deklaratë për mediat përpara zyrave të SPAK, Monika Kryemadhi u shpreh se çështja ndaj saj dhe familjarëve të saj është e mbushur me paqartësi, keqinterpretim dhe tentativa për deformim të së vërtetës nga ana e disa portaleve të financuara, sipas saj, nga paratë e inceneratorëve.

Ajo theksoi se po përballet me një proces të stërzgjatur dhe të politizuar, ku institucionet nuk kanë kryer detyrimet ligjore për të siguruar provat nga autoritetet ndërkombëtare, ndërkohë që pretendohet për vepra penale që, sipas saj, nuk ekzistojnë.

 Kryemadhi deklaroi se do të ndjekë të gjitha hapat ligjorë për të mbrojtur veten dhe familjen e saj dhe theksoi se e vetmja gjë që kërkohet në këtë proces është durimi, qetësia dhe transparenca për opinionin publik.

Pjesë nga deklarata:

S’kam punë me qelitë e burgut. Pas reklamës së unazës, më thanë në SPAK që duhet të bëjmë detyrimin e paraqitjes çdo javë, sepse ne "dalim vetëm kur vjen ti". Ti na flet për filmin del SPAK, del unaza, del prapë SPAK... Ndërkohë, ata kërkojnë edhe një anë tjetër të çështjes.

Firmosëm fletët ku shprehim se nuk jemi dakord dhe do ta çojmë çështjen në gjykatë, duke ndjekur të gjitha procedurat. Së pari, fashikujt nuk janë ende gati, sepse vetëm një portal ka tre fashikuj. Tani do shohin sa portale kanë qenë të paguar me paratë e inceneratorëve dhe që janë pjesë e fashikujve përveç letrave porosi, që nuk besoj se janë shumë.

Ka edhe dokumente të tjera letra, kartat e kreditit të fëmijëve dhe të miat që tregojnë shpenzime për kafe, ushqim, bileta metroje etj., të gjitha nga llogaritë tona bankare. Përveç këtyre, kemi dorëzuar dhe analizat financiare: vetëm analiza ime, nga viti 1992 deri më 2023, ka rreth 8 mijë faqe. Po aq ka dhe analiza financiare e nënës sime gjithsej 16 mijë faqe, të gjitha të dërguara në SPAK.

Besoj që përveç këtyre, do të jenë edhe 40-50 mijë faqe të tjera të shkruara kundër nesh nga portalet e inceneratorëve, të cilat do t’i seleksionojmë dhe analizojmë. Do të shikojmë se çfarë lloj dokumentesh janë, çfarë pretendojnë si "argument" për ndonjë vepër penale – që, sipas nesh, nuk ekziston. Sa për "lobimin", letrat e porosisë që kanë ardhur, unë i kam lexuar që në çështjen që ndodhet në Gjykatën e Apelit. Aty ka pasur kundërshtime dhe pagesa që nuk janë bërë.

Për ato pagesa që ka deklaruar LSI në atë kohë janë vetëm ato, nuk ka të tjera. Të gjitha deklaratat noteriale në vitin 2006 është përdorur një lloj deklarate, tani kemi një sistem tjetër. Është njësoj si dikur, kur mësonim me "A, arra" para 15 vitesh, ndërsa tani mësojmë me metodologji të reja.

Ky është një proces ku nuk kemi çfarë bëjmë. E kam thënë që në fillim: duhet durim strategjik, qetësi dhe më e rëndësishmja shëndet.

Sa për “pastrimin e produkteve penale”: thuhet se nëna ime ka blerë shtëpinë e saj me para që ia kam dhënë unë. Po unë, çfarë vepre penale kam kryer? Cila është vepra ime?

Unë akuzohem për fshehje pasurie. Kam bërë një letër për bankën në SHBA. Në momentin që ne të shkojmë në gjykatë, prokuroria duhet të kishte kërkuar një vendim gjykate për të marrë informacion nga ajo bankë. Prokuroria këtë nuk e ka bërë këtë do ta bëj unë. Dhe do të shohim nëse kam kaluar vlerën e lejuar të dhuratës.

LEXO EDHE: 

Mbyllja e hetimeve/ Kryemadhi: Kjo është drejtësia e Yuri Kim, në gjyq do shkojnë vetëm avokatët