'Farsë politike'/ Meta nga qelia: SPAK më kërkoi pa paralajmërim, do të paraqitem kur të jetë i pranishëm avokati

Në një postim në rrjetin social Facebook, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, tha se nuk ka marrë asnjë ftesë apo njoftim zyrtar nga SPAK deri mëngjesin e sotëm, kur sipas tij një gardian i burgut “Jordian Misja” e ka informuar verbalisht për një paraqitje të menjëhershme pranë Prokurorisë së Posaçme.

Për transparencë me opinionin publik dhe në ndihmë të gazetarëve në funksion të mirëinformimit”, Meta sqaron se avokati i tij nuk ka qenë i pranishëm për shkak të pamundësisë për të udhëtuar, dhe se do të paraqiten pranë SPAK sapo të jetë e mundur.

Në reagimin e tij, Meta e cilëson procesin si “një farsë politike”, duke theksuar se pas gjashtë vitesh hetimesh nuk ekziston asnjë fakt apo provë penale ndaj tij.

Postimi i Plotë:

𝐏𝐞̈𝐫 𝐭𝐫𝐚𝐧𝐬𝐩𝐚𝐫𝐞𝐧𝐜𝐞̈ 𝐦𝐞 𝐨𝐩𝐢𝐧𝐢𝐨𝐧𝐢𝐧 𝐩𝐮𝐛𝐥𝐢𝐤 𝐝𝐡𝐞 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐝𝐢𝐡𝐦𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐠𝐚𝐳𝐞𝐭𝐚𝐫𝐞̈𝐯𝐞 𝐧𝐞̈ 𝐟𝐮𝐧𝐤𝐬𝐢𝐨𝐧 𝐭𝐞̈ 𝐦𝐢𝐫𝐞̈𝐢𝐧𝐟𝐨𝐫𝐦𝐢𝐦𝐢𝐭

Nuk kam patur as ftesë dhe as shkresë zyrtare nga SPAK deri sot në ora 08:30, kur një gardian i IEVP “Jordian Misja” më komunikoi verbalisht se në orën 09:50 më kërkonin te SPAK, pa dhënë asnjë lloj sqarimi.
U lidha me avokatin tim, Kujtim Cakrani, i cili sot kishte kaluar kufirin dhe e kishte të pamundur për t’u paraqitur në SPAK në orën e komunikuar në mënyrë verbale nga një gardian.
Ndaj duke qenë se prania e avokatit është e domosdoshme nga pikëpamja proceduriale do të paraqitemi në SPAK sa më parë avokati ta ketë të mundur.
Mezi presim gjykimin dhe përballjen, pas 6 vitesh hetimesh, që nga dhjetori 2019, për të çmontuar këtë proces farsë, të urdhëruar nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste, në mënyrë që i gjithë opinioni vendas dhe ndërkombëtar të mësojë të vërtetat e vetme: 
ZERO fakte penale! 
ZERO prova penale! 
ZERO akte dhe vendime të paligjshme!
ZERO lekë dëm buxhetit të shtetit!
ZERO lekë të përfituara në shkelje të ligjit! 
ZERO pasuri të paligjshme!