Nën akuzë për vrasje të dyfishtë/ Arma e tij: Një Audi RS5 me 450 kuaj fuqi

A duhen ndëshkuar më ashpër ata drejtues mjetesh që shkaktojnë aksidentë të renda? Një rast i veçantë po bën bujë në Gjermani

Nga Frank Scheider, BILD

Akuzat janë për vrasje në dy raste. Sipas prokurorisë, i akuzuari veproi me dinakëri dhe motive të ulëta. Arma e tij: një Audi RS5 me 450 kuaj fuqi. 

Një aksident fatal në autostradë, tani po hetohet si vrasje e dyfishtë me 230 km/orë. 

Ekipet e para të shpëtimit panë një skenë tronditëse: dy makina të shkatërruara, rrënoja për mbi 500 metra në A59 pranë Duisburgut dhe dy njerëz që as mjeku i emergjencës nuk mundi t’i shpëtonte. 

Drejtuesi (44 vjeç) i Seat-it të përplasur dhe nëna e tij (80) vdiqën menjëherë në vendin e aksidentit. 

Shkaktari ishte shoferi i një Audi. 33-vjeçari mbeti i bllokuar në makinën e dëmtuar dhe u nxor i plagosur rëndë. 

Aksidenti ndodhi rreth orës 00:15. Seat-i ishte duke udhëtuar në drejtim të Dyseldorfit, kur nga pas i erdhi me shpejtësi Audi dhe u përplas fuqishëm. 

Sipas aktakuzës, 33-vjeçari po lëvizte me deri në 230 km/h në momentin e aksidentit – ndërkohë që limiti i lejuar ishte 100 km/h.

Shoferi i Audi-t u vu në paraburgim një ditë pas aksidentit. Fillimisht akuza ishte për vrasje nga pakujdesia. Ai nuk kishte as patentë – i ishte hequr më parë për drejtim në gjendje të dehur – dhe nuk kishte një vendbanim të përhershëm.

Gjatë hetimeve të mëtejshme, prokuroria arriti në përfundimin se nuk bëhej fjalë për pakujdesi. Kush nget makinën me aq papërgjegjshmëri, sipas tyre, rrezikon me vetëdije jetë njerëzish. 

Zëdhënësi i Gjykatës së Lartë të Duisburgut, Philipp Hein, për BILD: “Sipas aktakuzës, i pandehuri ka vepruar me motive të ulëta, pasi kënaqësia nga drejtimi dhe dëshira për të arritur më shpejt qëndronin në plan të parë. Gjithashtu, veprimi konsiderohet tinëzar, pasi viktimat ishin plotësisht të pambrojtura dhe të papërgatitura.”

Gjykimi pritet të nisë në tetor. I pandehuri do të përballet me akuzën për vrasje të dyfishtë.