U hodh në ujërat e liqenit të Ujmanit, FSK operacion për kërkimin e trupit të të riut
Njësitë e specializuaratë zhytjes dhe kërkim shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë angazhuar mëngjesin e kësaj të marte në mbështetje të autoriteteve civile, për kërkimin e trupit të emigrantit në liqenin e Ujmanit në Komunën e Zubin Potokut.
Operacioni për gjetjen e trupit të të riut, është bërë i ditur nga ministri në detyrë i mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK kanë filluar operacionin e kërkimit në liqenin e Ujmanit, me synimin që sa më shpejt të nxirret trupi i mërgimtarit dhe t’i lehtësohet dhimbja familjes”, ka njoftuar Maqedonci në një postim në Facebook.
33-vjeçari dyshohet se u hodh nga ura në Ujman pasditen e së dielës. Operacionet e kërkim-shpëtimit deri më tani i kanë realizuar pjesëtarët e Policës së Kosovës së bashku me ata të Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, por deri më tani kanë rezultuar të pasuksesshme.
Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, sipas një zotimi të vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.