Dortmundi futet fuqishëm në garë për Sancho-n, rrezikon Juventusi
Një zhvillim i rëndësishëm vjen nga Anglia në lidhje me të ardhmen e Jadon Sancho-s. Sipas raportimeve të Sky Sport UK, Borussia Dortmund ka ndërhyrë fuqishëm për shërbimet e anësorit anglez, i cili është prej kohësh në radarët e Juventusit.
Sancho, i përjashtuar prej kohësh nga planet e trajnerit Ten Hag te Manchester United, thuhet se ka dhënë “ok”-in për një rikthim në Bundesliga dhe pikërisht te ish-klubi i tij, Borussia Dortmund. Klubi gjerman ka nisur tashmë kontaktet e para me “Djajtë e Kuq” për të negociuar kushtet e një transferimi të mundshëm të përhershëm.
Ky zhvillim pritet të komplikojë ndjeshëm planet e Juventusit dhe drejtorit Comolli, të cilët prej javësh janë të interesuar për të afruar Sancho-n si zgjidhje për repartin ofensiv, ende të paqartë për shkak të situatës së paqëndrueshme të Vlahovic dhe Kolo Muani.
Nga ana ekonomike, Manchester United kërkon një shumë prej 18-20 milionë eurosh për kartonin e Sancho-s, shumë kjo dukshëm më e ulët nga 85 milionët që pagoi për të në vitin 2021. Megjithatë, marrëveshja është ende në fazat fillestare dhe nuk përjashtohet mundësia që palët të afrohen për të mbyllur operacionin.
Nëse transferimi do të realizohej, Sancho do të vishte për herë të tretë fanellën e Borussia Dortmundit. Ai ka luajtur në radhët e klubit verdhezi nga viti 2017 deri në 2021, duke shpërthyer si një nga talentët më premtues në Europë. Ai u rikthye aty edhe për një periudhë 6-mujore huazimi në vitin 2024, pas një tjetër përjashtimi nga ekipi i parë te United.
Tashmë pritet të shihet nëse Dortmundi do të konkretizojë kthimin e Sancho-s apo nëse Juventusi do të ndërmarrë një lëvizje vendimtare për ta bërë të vetin.