Galatasaray dërgon ofertën e parë për Donnarummën

Pas transferimit të bujshëm të Victor Osimhen, Galatasaray po tenton një tjetër goditje të madhe.

Klubi turk ka dërguar ofertën e parë zyrtare në drejtim të PSG-së për një transferim të mundshëm të Gigio Donnarumma-s.

Portierit italian, të cilit i skadon kontrata me PSG-në verën e vitit të ardhshëm, nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët për një rinovim të mundshëm, ndaj largimi i tij këtë verë nga francezët është mëse i mundshëm.

Për një rinovim të kontratës, PSG i ka ofruar portierit italian rrogën që merr aktualisht, por Gigio ka kërkuar një rritje të ndjeshme, gjë që nuk pranohet nga drejtuesit e klubit francez. Në këtë mënyrë, ata janë të hapur për të pritur oferta për kartonin e tij.

Klubi i parë që ka dërguar ofertë zyrtare është Galatasaray, por Gigio Donnarumma pavarësisht se e vlerëson interesimin e klubit turk nuk ka kthyer ende përgjigje, pasi dëshiron të marrë më shumë kohë për të vendosur të ardhmen e tij.

Mediat franceze raportojnë se plani i Donnarumma-s është të transferohet diku tjetër dhe jo te Galatasaray.

Ndërkohë nga Anglia, Manchester City vazhdon të ndjek me vëmendje situatën mes portierit italian dhe PSG-së.

Edhe pse, City arriti marrëveshjen me Burnley për rikthimin e James Trafford për 40 milionë euro, Guardiola nuk do t’i thoshte dot “jo” një transferimi të mundshëm të Gigio Donnarumma-s.

E ardhmja e portierit italian pritet të vendoset shumë shpejt.