Mjekët hedhin poshtë teoritë konspirative online se kremi mbrojtës nga dielli është i dëmshëm dhe shkakton kancer

Vera ka mbërritur zyrtarisht dhe me të, pushuesit në mbarë Europën po zëvendësojnë zyrat me shezlongët buzë detit. Por përveç temperaturave të larta, në internet po ndizet sërish debati i përvitshëm mbi kremin mbrojtës nga dielli, me pretendime që shkojnë nga toksiciteti i tij, te lidhja me kancerin dhe ndikimi mbi vitaminën D.

Në platformën X (ish-Twitter), një postim që është parë mbi 1.2 milion herë pretendon se rritja e rasteve me melanomë nisi pas përhapjes së kremrave kundër diellit, duke sugjeruar se kimikatet në to janë më të rrezikshme se vetë rrezet e diellit. Por ekspertët e dermatologjisë e cilësojnë këtë një dezinformim të rrezikshëm.

“Nuk ka të dhëna që tregojnë se kremi mbrojtës nga dielli shkakton kancer të lëkurës; kjo nuk është aspak e vërtetë,” tha për Euronews Dr. Angela Tewari, zëdhënëse e Fondacionit Britanik të Lëkurës. Ajo theksoi se shumica e melanomave shkaktohen nga ekspozimi i zgjatur në diell dhe djegiet, ndaj kremi kundër diellit është një mjet thelbësor mbrojtës.

Në një rast tjetër, një grafik i shpërndarë online lidh rritjen e kancerit të lëkurës në Connecticut me futjen e përbërësve të caktuar në kremrat kundër diellit. Por autoritetet shëndetësore në SHBA thanë se vizualizimi është manipulativ dhe se nuk mbështetet nga ata.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga përdoruesit online ka të bëjë me përbërësit kimikë si oksibenzoni dhe oktokrileni. Megjithëse disa studime të mëparshme kanë sugjeruar mundësi çrregullimesh hormonale te minjtë kur këta përbërës janë konsumuar në doza shumë të larta, ekspertët sqarojnë se rreziku tek njeriu është praktikisht inekzistent. Një analizë e publikuar në Journal of the American Academy of Dermatology vlerëson se dikush do të duhej të përdorte krem kundër diellit për 277 vjet për të përjetuar efekte të ngjashme.

Në Britani, një sondazh i organizatës bamirëse Melanoma Focus zbuloi se gjysma e të rriturve e konsiderojnë kremin kundër diellit shumë të shtrenjtë, ndërsa 67% do ta përdornin më shpesh nëse do të ishte më i përballueshëm. Ky faktor financiar, sipas ekspertëve, mund të ndikojë në rritjen e rasteve të kancerit të lëkurës.

Në anën tjetër, disa postime virale pretendojnë se përdorimi i kremit mbrojtës pengon prodhimin natyror të vitaminës D, duke rritur rrezikun për kancer. Dr. Tewari sqaron se vetëm pak minuta ekspozimi në diell janë të mjaftueshme për prodhimin e kësaj vitamine, pa nevojën për djegie apo ekspozim të zgjatur.

Ndërkohë, aplikacione si Yuka, që u lejojnë konsumatorëve të skanojnë produkte për të kontrolluar përbërësit, kanë shtuar konfuzionin. Sipas dermatologut Dr. Jeremy Lupu, këto aplikacione shpesh nuk marrin parasysh përqendrimin real të përbërësve dhe mund të stigmatizojnë produkte të sigurta vetëm për shkak të një përbërësi potencialisht të diskutueshëm në doza minimale.

Mes temperaturave në rritje dhe dezinformatave virale, mjekët këshillojnë të mos biem pre e teorive pa bazë dhe të mos neglizhojmë një nga armët më të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit tonë në verë: kremin kundër diellit.